Lëvizja BESA bojkoton debatin kuvendor për ligjin për gjuhët, BDI ndjen keqardhje (VIDEO)

Debati kuvendor për propozim-ligjin për përdorimin e gjuhëve në Komisionin për Çështje Evropiane, ka vazhduar në mungesë të deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe Lëvizjes BESA, të cilët këta të fundit në konferencë për shtyp akuzuan BDI-në se me replika dhe kundër-replika të gjata nuk lejojnë që të ketë debat konstruktiv për dy amendamentet e parashtruara nga ata, raporton Portalb.mk.

“Duke e pasur parasysh atë që ndodhi dje në debatin në Komisioni kur të gjithë e panë se grupit parlamentar të Lëvizjes BESA iu pamundësua të debatojë rreth amendamenteve të cilët ne i propozuam dhe sipas rregullores duhej që ne ti elaboronim ato. Sot nuk do të marrim pjesë në debatet që janë teatër të kryetarit për çështje evropiane dhe tenton atë ta vazhdojë. Ne kërkojmë që të votohet për amendamentet tona. Amendamenti i parë kishte të bëjë për emërtimin e Ligjit që ta quajmë si “Ligji për implementimin zyrtar të gjuhës shqipe” por ministri i drejtësisë nga BDI-ja e refuzoi. Kërkojmë deklarim nga komisioni për këtë amendament. Amendamenti i dytë  ka të bëjë me statusin, qartësimin e asaj se çfarë është gjuhë zyrtare. Ne kërkojmë që gjuha shqipe të jetë e barabartë me atë maqedonase në të gjitha nivelet shtetërore, konform asaj që kemi shprehur në Deklaratë e përbashkët të partive shqiptare. “ tha Fadil Zendeli, koordinator i grupit parlamentar të Lëvizjes BESA.

Ndaj mungesës së Lëvizjes BESA, kryetari i Komisionit, Artan Grubi, deklaroi se ndjen keqardhje që deputetët e Lëvizjes BESA, po rreshtohen në një linjë me atë të VMRO-DPMNE-së, duke mos marrë pjesë në debatin për ligjin e gjuhëve.

“Shpreh dëshprim të thellë me veprimin e Lëvizjes BESA, e cila është në rrjedhim të veprimeve të ngjashme në të kaluarën pas mospërkrahjes së zgjedhjes së kryetarit të parë të Kuvendit, pas mospërkrahjes dhe mosvotimit të qeverisë reformuese, pas mosvotimit të kryeprokurorit Marko Zvërlevski, si dhe pas mosmbështetjes së shumë ligjeve reformuese, ja në radhë vjen edhe mosmarrja pjesë ne debatin e ligjit për përdorimit të gjuhës shqipe. Prandaj shpreh dëshpërim që nuk janë aty as që t’i mbrojnë amendamentet e tyre, as që t’i shtjellojnë amendamentet e tyre, e as që t’i prezantojnë të njëjtat, por as që ta mbështesin debatin më të rëndësishëm për ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. Akti i këtillë është i turpshëm dhe unë skuqem për veprimin e tyre”.

Në lidhje me akuzat se BDI po e zvarrit debatin që të mos pranohen dhe shqyrtohen amendamentet, Grubi tha se nuk është bllokadë, por respektim i Rregullores, ndërkaq paralajmëroi se deri në mesnatë pritet që të mbarojë debati për amendamentin e parë, kur edhe do të skadojë afati i debatit treditor në Komision.

“Nuk është kjo bllokadë, por është respektim strikt i Rregullores dhe tregim i qëndrimit të BDI-së, e cila nuk përkrah ndryshim të ligjit për përdorimin e gjuhëve. Kufizimi i replikës është shkelje e Rregullores së Kuvendit të Maqedonisë. Në Kuvend, replikat nuk kufizohen. Unë nuk mund t’i kufizoj deputetët në zgjatjen e fjalimeve të tyre. Ka të paraqitur edhe 4, replikuesi i dytë është në mes të fjalimit dhe pres që deri në mesnatë do të mbarojë debati për amendamentin e parë, ndërkaq nuk e di a do të arrijmë të votojmë për këtë amendament pasi që afati kalon në mesnatë. Pastaj sipas rregullores mbaron debati dhe sipas Rregullores jam i obliguar që ta mbarojë debatin për këtë propozim-ligj dhe ta ndjek më tej procedurën e mëtutjeshme. Pa shqyrtim apo mosshqyrtim, pa miratim apo mosmiratim të amendamenteve, do të shohim pasmesnatës”, tha Grubi.

Gjatë seancës, deputeti i BDI-së, Rexhail Ismaili, në fjalimin e tij të gjatë, ka elaboruar qëndrimin e BDI-së se pse ligji për gjuhën shqipe duhet të kalojë në formën ashtu sikur është propozuar, duke mos i pranuar dy amendamentet e Lëvizjes BESA.

“Pranimi i amendamenteve nuk është e mundur pasi që  nëse pranohen të njëjta ka mundësi që i njëjti të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese. Ne si BDI jemi që ligji të qëndrimin që ligji të ngelet kështu siç është. Ligji i gjuhëve është konform amandamentit 5 të Kushtetutës së Maqedonisë. Të jemi të qartë, do ta lexoj çdo aline”, tha Ismaili dhe vazhdoi të lexojë amendamentin e Kushtetutës dhe më pas edhe tërë ligjin për përdorim të gjuhëve.

Kryetari i Komisionit e ka ndërprerë seancën, me kërkesë të deputetëve për pauzë dhe caktoi rivazhdim të saj në ora 17:00, ku pritet që deputetët të vazhdojnë me fjalime të gjata deri në mesnatë kur edhe pritet të mbarojë diskutimi në Komision.—————————————————————————————————————————————————————

Dita e djeshme e leximit të dytë të ligjit të gjuhëve përplasi deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe BESA-s, pasi që ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji refuzoi një nga amandamentet e Lëvizjes Besa, që parashihte që ligji i gjuhëve të quhet “ligji i gjuhës shqipe”. Arsyetimi i refuzimit të amandamentit të BESA-s ishte se “ndryshimi i emrit të ligjit parasheh ndryshim të Kushtetusës së Maqedonisë”.

Pas refuzimit të amandamentit, në fjalim doli deputeti i koalicionit Aleanca për Shqiptarët, Vesel Memedi, ndaj të cilit filloi të replikojë kryetari i Komisionit, Artan Grubi.

Grubi thotë se “procedurale deputeti i BESA-s ka kërkuar pasi ka nisur të flas ai”, ndërsa deputeti i BESA-s, Fadil Zendeli tha se “procedurale për refuzimin e amandamentit të tyre nga Saliji ka kërkuar menjëherë por kjo iu mohua nga Grubi”.

Për shkak të, siç tha Zendeli, mospranimit të procedurales nga Grubi, katër deputetët e BESA-s filluan të trokasin tavolinat. Situata u tensionua, ndërkaq Grubi e ndërpreu diskutimin për siç tha ai “sepse nuk ka kushte”.

Pjesën më të madhe prej 90 amendamenteve – 84 ka VMRO-DPMNE, 4 LSDM dhe 2 BESA.

Përndryshe, rendi i ditës ku ishte leximi i dytë i ligjit të gjuhëve u miratua me 9 vota “pro”, dhe asnjë “kundër” e “përmbajtur”.

Nevoja për sjelljen e ligjit për përdorimin e gjuhëve u votua nga deputetët më 15 nëntor të këtij viti. “Pro” votuan 66 deputetë, ndërsa 41 ishin “kundër”.

Debati i ligjit të gjuhëve në lexim të parë zgjati 8 ditë, dhe që në të tetë ditët deputetët e VMRO-DPMNE-së të njëjtin e vlerësuan si “antikushtetues” dhe “ligj që nuk i plotëson nevojat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”. “Kundër” ligjit të gjuhëve në lexim të parë ishte opozitarja VMRO-DPMNE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button