90 amandamentet e gjuhës shqipe përplasin BDI-në me BESA-n, ndërprehet sërish diskutimi

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Artan Grubi e ka ndërprerë seancën e Komisionit për Çështje Evropiane, ku po shqyrtohen 90 amandamentet e propozuara për ligjin e gjuhëve – leximi i dytë, për shkak siç tha Grubi “nuk ka kushte të vazhdojë seanca”. Siç njoftoi Grubi, seanca nuk pritet të vazhdojë sot, kurse diskutimi i 90 amendamenteve do të vazhdojë për më 25 dhjetor, raporton Portalb.mk.

Ndërprerja e seancës së sotme erdhi pasi që deputetët e Lëvizjes BESA të revoltuar, për siç thonë ata “sepse nuk iu mundësua procedurale pas refuzimit të amendamentit të propozuar nga ata nga ministri i Drejtësisë” dhe në shenjë revolte kanë filluar të trokasin në tavolina.

Amendamentit i propozuar nga deputetët e BESA-s parashihet që ligji i gjuhëve të quhet “ligji i gjuhës shqipe”.

Arsyetimi i refuzimit të amendamentit të BESA-s, siç u shpreh kryetari i Komisionit, Artan Grubi erdhi për shkak se “ndryshimi i emrit të ligjit mund të bëhet vetëm me ndryshim të Kushtetutës, gjë që kërkon votim me 2/3 e shumicë, por edhe është jashtë kornizave të parapara me propozim ligjin”.

Pas ndërprerjes së seancës, në konferencë për shtyp, deputeti i Lëvizjes BESA tha se në seancën e sotme kryetari i Komisionit, Artan Grubi ka bërë manipulime që të mos bëhet debat real duke u dhënë fjalë atyre për ta sqaruar amendamentin.

“Debati sot u desh të bëhet. Ne i kemi dorëzuar amandamentet dhe na u pamundësua që të njëjtat t’i sqarojmë. U dhanë fjalë të tjerëve, ndërkaq neve jo. Ky manipulim nuk mundej të lejohet, andaj kërkuam edhe procedurale. Skenarin e tillë e ka organizuar Artan Grubi me deputetët e tij, por ne me mjete demokratike do të reagojmë ashtu siç kemi reaguar, pasi që kemi treguar pakënaqësi ndaj këtyre manipulimi. Ne si Lëvizje BESA e kemi deklaruar këtë qëndrim për këtë ligj, ne do ta përkrahim dhe do ta votojmë këtë ligj, por me amendamentet tona duam që ta përmirësojmë. Ne nuk jemi të kënaqur me këtë ligj pasi nuk zyrtarizohet gjuha shqipe”, tha Zendeli.

Pas mbarimit të debatit, kryetari i Komisionit, tha  se debati do të vazhdojë në ditën e tretë, gjegjësisht ditën e fundit e cila do të mbahet më 25 dhjetor, ndërkaq për reagimin e Lëvizje BESA tha se është jashtë rregullores.

Pas Zendelit, në konferencë doli edhe kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Artan Grubi i cili tha se seancën e ka ndërprerë për shkak se nuk kishte kushte për mbajtjen e saj.

Grubi poshtu njoftoi se Zendeli procedurale ka kërkuar në kohën kur ai ishte duke replikuar ndaj fjalimit të deputetit të koalicionit Aleanca për Shqiptarët, Vesel Memedi, dhe prandaj nuk ka mundur t’i jepet procedurale.

Grubi seancën e sotme nuk do ta vazhdojë më the ditën e tretë dhe të fundit sipas Rregullores së Kuvendit e ftoi për më 25 dhjetor kur edhe pret që në diskutim të 90 amendamenteve të jenë edhe propozuesit e shumicës së tyre, deputetët e VMRO-DPMNE-së.

“Dua t’ju japim edhe një shans opozitës që të vjen dhe t’i artikulon amendamentet dhe të binden që ta përkrah këtë ligj dhe në fund në mënyrë konsensuale të votohet ky ligj. Ajo çfarë ndodhi sot në Kuvend, mendoj se ishte jashtë çdo neni të rregullores, për arsye se për fjalë i pari u paraqit propozuesi i amandamenteve me këtë rast e ftova dhe e pritëm derisa filloi seanca, përfundoi prononcimi i përfaqësuesit të Qeverisë rreth amendamentit të propozuesit, propozuesi nuk kërkoi sërish fjalë dhe i ftova deputetët për të hapur debatin në lidhje me amendamentin e parë nga  dy të propozuarit nga Lëvizja BESA dhe me këtë rast u paraqitën tre deputetë. Sipas rregullores, ai që i pari është paraqitur, ai e merr dhe e mban fjalën, sipas dispozitave të Nenit 171 limitimet qëndrojnë në fjalime dhe ato janë 10 minuta. Pas kësaj u paraqitën disa deputetë tjerë për fjalë dhe më pas u shkaktua rrëmuja, për çka edhe u detyrova  ta ndërpres seancë”, tha Grubi në konferencë për media pas ndërprerjes së diskutimit të 90 amandamenteve.

 

————————————————————————————————————————

Pasi të hënën nisi debati për leximin e dytë të ligjit të gjuhëve në Komisionin për Çështje Evropiane sot i njëjti do të rikthehet sërish për leximin e 90 amandamenteve të propozuara nga VMRO-DPMNE-ja, BESA dhe LSDM-ja, njofton Portalb.mk.

Ngjashëm si me debatin e buxhetit të 2018-s, edhe në debatin e sotëm nuk do të marrin pjesë deputetët e VMRO-DPMNE-së. Madje ata këtë e kanë do ta zgjerojnë edhe në seanca plenare.

Kryetari i Komisionit seancën e caktoi për sot në orën 13:00.

Se sot skadon afati treditor i debatit në leximin e dytë të gjuhëve këtë e njoftoi nga kryetari i Komisionit, Artan Grubi.

“Sot nis afati treditor i leximit të dytë të ligjit të gjuhëve, me sot, debati i leximit të dytë duhet të zgjasë tre ditë. Edhe pse ministri ka dy ditë vizita, besoj se deri të mërkurën leximi i dytë i ligjit të gjuhëve do të kalojë. Pasi sot në leximin e dytë nuk është përfaqësuesi i Qeverisë, i cili duhej të ishte ministri i Drejtësisë dhe zëvendësministri i Drejtësisë, në mungesë të tyre shpalli pauzë të seancës ku duhet të bëhet leximi i dytë i ligjit të gjuhëve””, tha të hënën, Artan Grubi.

Mbledhja ku debatohet për leximin e dytë të gjuhëve shkoi në pauzë pasi që me Nenin 121 të Rregullores së Kuvendit të Maqedonisë, në të parashihet edhe prania e përfaqësuesit të Qeverisë. Meqë ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji nuk ishte në Maqedoni, mbledhja e Komisionit për Çështje Evropiane shkoi në pauzë. Kjo pauzë shmangi debatin publik në leximin e dytë të ligit të gjuhëve.

Përndryshe, rendi i ditës ku ishte leximi i dytë i ligjit të gjuhëve u miratua me 9 vota “pro”, dhe asnjë “kundër” e “përmbajtur”.

Ndryshe, nevoja për sjelljen e ligjit për përdorimin e gjuhëve u votua nga deputetët më 15 nëntor të këtij viti. “Pro” votuan 66 deputetë, ndërsa 41 ishin “kundër”.

Debati i ligjit të gjuhëve në lexim të parë zgjati 8 ditë, dhe që në të tetë ditët deputetët e VMRO-DPMNE-së të njëjtin e vlerësuan si “antikushtetues” dhe “ligj që nuk i plotëson nevojat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”. “Kundër” ligjit të gjuhëve në lexim të parë ishte opozitarja VMRO-DPMNE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button