Ligji i gjuhëve në Komision, priten amandamente shtesë nga Besa dhe VMRO-DPMNE-ja

Kuvendi i Maqedonisë votoi “për” miratimin e ligjit të gjuhëve në lexim të parë që më pas i njëjti të shkojë në lexim të dytë. Mirëpo, në bazë të asaj që njoftuan nga partitë opozitare shqiptare dhe maqedonase, koalicioni “Rilindje me Besë” dhe VMRO-DPMNE-ja ligjin e gjuhëve në leximin e dytë do ta presin amandamente shtesë, ndërkohë që ata nuk priten të parashtrohen nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, njofton Portalb.mk.

“Për” ligjin e gjuhëve në lexim të parë votuan 66 deputetë kurse “kundër” ishin 41 deputetë.

Siç edhe u paralajmërua, “kundër” ligjit të gjuhëve në lexim të parë ishte opozitarja VMRO-DPMNE.

“Ne nuk do të votojmë për miratim të këtij ligji”, tha Ilija Dimovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

BESA dhe VMRO-ja do të parashtrojnë amendamente, BDI dhe LSDM jo

Në lidhje me ligjin e gjuhëve, partia opozitare BESA dhe VMRO-DPMNE kanë bërë të ditur se në leximin e dytë të ligjit të gjuhëve do të propozojnë amendamente, ndërkohë që BDI dhe LSDM nuk planifikojnë të bëjnë të njëjtën.

“Intervenimi ynë nuk do të jetë në tërë ligjin, por vetëm në ato pjesë ku mendojmë se ka mangësi nga ku do ta bënin gjuhën shqipe si gjuhë të dytë zyrtare”, tha deputeti i koalicionit “Rilindje me Besë”, Fadil Zendeli.

Amendamente do të propozojnë edhe nga VMRO-DPMNE-ja.

“Do t’i shqyrtojmë të gjitha predispozitat demokratike në fazën e ardhshme dhe të largohen dobësitë e këtij ligji”, tha Ilija Dimovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Ndërkaq, jo nga BDI dhe LSDM.

“Ligji i gjuhëve është rezultat i bisedimeve të shumta ndërmjet Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë dhe BDI-së dhe vlerësojmë se ai duhet të miratohet pasi që në asnjë moment nuk e shkel Kushtetutën e Maqedonisë. Çështjet e ndishme të cilat mendonim se i ka ligji i gjuhëve tashmë ia kemi dorëzuar Komisionit të Venedikut”, tha deputeti i BDI-së, Artan Grubi.

Ligji i gjuhëve do të miratohet deri në fund të vitit 2017

Deputeti nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi tha se “me shumë gjasë ligji i gjuhëve në komisionin e caktuar do të hidhet në vlerësim në Ditën e Alfabetit, më 22 nëntor” duke shpresuar se debati për leximin e dytë të ligjit të gjuhëve do të kalojë mirë dhe se “ligji do të miratohet këtë vit”.

Pas votimit të leximit të parë të ligjit të gjuhëve, i njëjti shkon në Komision për Çështje Evropiane ku do të propozohen amandamente shtesë për të njëjtin. Meqë ligji i gjuhëve ka flamurin evropian, debati në Komision do të zgjasë tre ditë pas së cilit rikthehet sërish në seancë plenare.

LEXO: Maqedoni, ja detajet çfarë përmban ligji për gjuhët (gjuhën shqipe)

Me ligjin parashikohet në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, institucionet dhe organizatat, komisionet, personat juridikë të cilët ushtrojnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet e tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj të jetë edhe gjuha që e flasin 20 për qind nga qytetarët e Republikës së Maqedonisë dhe shkrimi i saj (gjuha shqipe).

Ai duhet t’u mundësojë qytetarëve shfrytëzim, përdorim dhe zbatim të gjuhëve zyrtare dhe shkrimin e tyre në procedurat gjyqësore, administrative, ekzekutive, procedurat parahetimore dhe hetimore, procedurat penale dhe kundërvajtëse, procedurat kontestuese dhe jokontestuese, procedurën për përmbarimin e sanksioneve, si dhe procedurat e tjera të parapara me ligje të tjera, gjykatat, prokuroritë publike, si dhe të gjitha organet e tjera, trupat dhe institucionet e tjera.

Përndryshe, seanca e 15 ku në rend dite ishte ligji i gjuhëve u rikthye pas 50 ditësh dhe për të njëjtin u zhvillua tetë ditë debat.

Ndryshe, ligji i gjuhëve në seancë plenare i parapriu mbështetjes ligjore të Komisionit të Kuvendit për Çështje Evropiane dhe Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Bashkësive. Ardhja e ligjit të gjuhëve në Kuvendin e Maqedonisë, bëri që deputetët e VMRO-DPMNE-së, gjatë seancës plenare vazhdimisht kërkonin pauza dhe të njëjtin e vlerësonin si “antikushtetues”. Të gjitha këto zvarritën kalimin e këtij propozim-ligji me debat të shkurtër dhe në mënyrë të përshpejtuar edhe pse i njëjti mban flamurin evropian.

Sipas asaj që u tha nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani vendosja e flamurit evropian është bërë me kërkesë të Bashkimit Evropian, vend ky që respekton ndryshimet në shoqëri. Vendosja e flamurit dhe plotësimi i kërkesës së BE-së do të përshpejton procesin eurointegrues të Maqedonisë.

Debati për të njëjtin u ndërpre më 23 shtator, pasi që filloi fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 15 tetorit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button