АNALIZË: Kur politika futet nëpër derë – arsimi largohet nëpër dritare!

Arsimi është thellë i partizuar, ndërsa gjuha e urrejtjes që është duke u përhapur, tashmë hyri nëpër shkolla, dhe për këtë dikush duhet të mbajë përgjegjësi – vlerësojnë një pjesë e ekspertëve, sociologëve dhe ministrave të mëparshëm të arsimit, shkruan analiza javore e Portalb.mk. Ndodhitë e fundit në gjimnazin e Prilepit e zbuluan fytyrën e gërditshme të realitetit në të cilin rriten dhe arsimohen të rinjtë – thonë analistët. Mirëpo ajo që tani është me rëndësi është se a do mbajë dikush përgjegjësi dhe kush do të jetë ai.

Sistemi – vëzhgues memec i shkeljes së ligjeve dhe i të drejtave?

Ndodhitë aktuale politike, veçanërisht protestat e të miturve, të cilët pa përgjegjësi nga organet kompetente e bojkotojnë mësimin, e kontaminojnë arsimin dhe në mënyrë plotësuese paraqesin rrezik për tensione etnike ose intraetnike – thotë për Portalb.mk njëri nga ministrat e mëparshëm për arsim, Sulejman Rushiti.

“Gjuha e urrejtjes e cila përcillet nëpërmjet mediave nga tubimet, debatet publike dhe nëpërmjet rrjeteve sociale, gjithsesi se ndikon dhe e kontaminon arsimin. Kurrikulat (trajnimi, renditja e të mësuarit) poashtu janë burim i mostolerancës kur në to gjenden përmbajtje joadekuate të cilat kanë paragjykime. Kur gjuha e urrejtjes mësohet në shkollë, atëherë ajo riciklohet, bëhet pjesë e jetës së përditshme. Bëhet mënyrë e jetës, mënyrë e të shprehurit dhe pasojat janë afatgjata” – thotë për Portalb.mk ish-ministri Rushiti.

Sociologët konsiderojnë se shembulli i fundit me gjimnazin e Prilepit, ku me ditë të tëra një pjesë e nxënësve në vend që të shkojnë në mësim – shkonin në protesta, tregon se sistemi është vëzhgues memec i shkeljeve dramatike të ligjeve, mirëpo edhe i të drejtave të fëmijëve, të atyre që janë të mitur.

“Edhe edukatori edhe pedagogu duhet të jenë në funksion të mundësisë që fëmijët vetë të mund të mendojnë dhe të logjikojnë, të kenë qëndrime të veta, të çliruar nga çdo lloj i mendimeve të huaja, imponimi i qëndrimeve dhe i ndikimeve të huaja. Qëndrimet dhe mendimet e huaja duhet të jenë në funksion të plotësimit të njohurive, mirëpo jo edhe të “imponimit” si njohuri të vetme. U bëj thirrje organeve kompetente, që ta marrin dhe ta lexojnë Konventën për mbrojtjen e fëmijëve dhe le ta shohin se çka parasheh ajo Konventë – e cila gjithsesi nuk parasheh dhunë, keqpërdorim dhe presione mbi fëmijët”, thotë për Portalb.mk profesori universitar Gjorgji Tonovski.

Gjendja u vulgarizua deri në atë shkallë sa që disa nxënës të gjimnazit të Prilepit e vërshëllyen profesoreshën e cila ishte kundër asaj që të shkohet në protesta dhe të humben orët. E pritën me fjalët:

“Të mallkuar qofshin tradhtarët”.

A ka përgjegjësi penale…

Agjitimi dhe involvimi i fëmijëve për qëllime politike është në kundërshtim me Ligjin për arsim të mesëm, me të cilin është i ndaluar çdo organizim dhe veprim politik dhe fetar, dhe që është jashtë qëllimeve të arsimit – shkollat duhet të jenë vend ku do të kryhet veprimtaria kryesore – procesi edukativo-arsimor – reagoi Avokati i popullit.

“Njëkohësisht me ashpërsi i dënon paraqitjet e personave udhëheqës të shkollave, dhe për këtë arsye u bën thirrje këshillave të shkollave, kryetarëve të komunave, Inspektoratit shtetëror të arsimit dhe Ministrisë për Arsim dhe Shkencë, që menjëherë dhe pa asnjë vonesë, secili në kuadër të kompetencave të tij, të ndërmarrë masa adekuate ndaj personave që agjitojnë ose që lejojnë që në shkolla të agjitohet dhe të bëhen përpjekje për involvim politik të nxënësve”, vlerësojnë nga Zyra e Avokatit të Popullit, prej ku paralajmëruan se do të hapin procedurë për përgjegjësi ndaj drejtorit të gjimnazit të Prilepit.

Shkelje të ligjeve konstatuan edhe nga lëvizja “E majta”, të cilët thonë:

“Pas incizimit të publikuar të drejtorit të spitalit të Prilepit, nuk mbetet mbrapa as drejtori i gjimnazit të qytetit. Në incizimin e publikuar mund të dëgjohet se si drejtori bën agjitim politik në mesin e nxënësve të mitur që t’u bashkangjiten protestave për Maqedoni unitare. Me këtë është shkelur neni 7 i Ligjit për arsim të mesëm, i cili thotë se “Në arsimin e mesëm është i ndaluar çdo organizim dhe veprim politik dhe fetar”.

Edhe pse protestat në gjimnazin e Prilepit, të cilat filluan javën e kaluar, sipas një pjesëve të nxënësve, kanë qenë spontane, me qëllim që të mbrohet karakteri unitar i vendit dhe gjuha maqedonase, megjithatë, analistët thonë se në këtë rast bëhet fjalë për persona të mitur, të cilët përpara syve të organeve kompetente, në vend që të shkojnë në orë – shkojnë në protesta, për qëllime politike. Përgjegjësi patjetër duhet të ketë, konsideron Rushiti.
“Përgjegjësia, gjithsesi se duhet të kërkohet në arsimin e partizuar. Për fat të keq, shkollat shihen si burim votash dhe keqpërdoren për politikë ditore. Ka ardhur koha që seriozisht të merremi me procesin arsimor – me strategji, e jo me politikë ditore. Gjërat duhet të vendosen në këmbë të shëndosha, duhet të investohet në arsim, mirëpo edhe në edukim. Paralelisht të gjenden mekanizma që të minimizohet ndikimi i partive mbi procesin arsimor” – thotë për Portalb.mk njëri nga ministrat e mëparshëm për arsim, Sulejman Rushiti.

Një pjesë e prindërve në Prilep reaguan ashpër dhe kërkuan përgjegjësi. Nga LSDM-ja paralajmëruan padi penale për drejtorin e gjimnazit të Prilepit, “Mirçe Acev”, Kiro Nikollovski, si dhe kundër drejtorit të shkollës së mesme “Riste Risteski – Riçko” në Prilep, Zharko Temellkoski, për shkak se, siç thonë nga kjo parti, ata kanë kryer vepër penale.

One thought on “АNALIZË: Kur politika futet nëpër derë – arsimi largohet nëpër dritare!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP