Kush duhet të mbajë përgjegjësi penale për humbjen e jetëve?

Kush dhe si duhet të përgjigjet për fatkeqësinë që ndodhi në Shkup dhe rrethinë? Janë dilema të parashtruara në opinion pas katastrofës që mori me vete 22 viktima. Ekspertët përsërisin se njëra prej arsyeve kryesore për numrin e madh në njerëz dhe dëme materiale është infrastruktura, që i bie se kompetentët duhet të bartin përgjegjësi politiko-juridike. Edhe pse institucionet mundohen t’i ikin fajit, duke u thirrur në katastrofë natyrore, ministri i ekologjisë dje pranoi se mospastrimi i kanaleve ishte njëra prej shkaqeve të përmbytjeve.

Për redaksinë e lajmeve Portalb.mk, çështjen e përgjegjësisë penale dhe politike e ka sqaruar profesori universitar Osman Kadriu.

Sipas tij çështja e përgjegjësisë penale është një kualifikim i lartë i përgjegjësisë. Prandaj, duhet në kuadër të veprimeve të çdo institucionit të vlerësohet vallë a janë të përfshirë elementet e veprave konkrete penale.

“Natyrisht, kërkohet një analizë shkencore juridike profesionale për të ardhur deri të ai përfundim. Mirëpo ajo që është tash për tash e pashmangshme është përgjegjësia politike- morale. Është fakt se institucionet nuk kanë reaguar në kohë, që ta rregullojnë çështjen e infrastrukturës- kanalizimin dhe çështjet tjera. Në ato lagje, konform konfiguracionit të vendit është dashur me kohë të sigurohet një mur mbrojtës, kjo nuk ka ndodhur dhe prandaj janë paraqitur këto dukuri negative me pasoja të rënda. Përgjegjësia e institucioneve është e patjetërsueshme”, tha për Portalb Kadriu.

Profesori është mendimit se Qeveria është kompetente dhe duhet ta shtron në rend dite përgjegjësinë e institucioneve.

Kadriu porositë që prej tani organet që janë kompetente duhet t’i ndërmarrin masat, sepse këto dukuri elementare mund të paraqiten edhe në të ardhmen.

Megjithatë, kush duhet ta bëjë analizën për të ardhur deri të përfundimi se kush duhet ta mbajë përgjegjësinë penale?

Policia dhe prokuroria duhet t’i grumbullojnë materialet e nevojshme dhe konform materialeve, informative dhe dijenive për çështjet konkrete që kanë ndodhur dhe kështu do të formohen ato lëndët penalo juridike që mandej epilogun e fundit do ta merr gjyqësori penal. Këto dy organe që përmenda, duhet të jenë prej tash në lëvizje”, përgjigjet për Portalb profesori Kadriu.

Kujtojmë se Prokuroria Publike ka kumtuar se nuk kanë ingerenca të veprojnë në kushte të fatkeqësive elementare.

Për profesorin Kadriu nuk është habi deklarata e Prokurorisë Publike.

“Prokuroria edhe për vepra kapitale nuk ka ngre procedurë, dhe në një mënyrë i ka mbrojtur përgjegjësit e veprave penale, në të cilat vepra kanë qenë edhe janë funksionarë të lartë partiak dhe shtetëror. Jo rastësisht erdhi edhe deri te themelimi i Prokurorisë Speciale Publike. Prokuroria Publike edhe në këto raste, me siguri, do të ketë qasje negative-pasive. Do të mundohet që t’i mbulon këto devijime me theks te veçantë që të mos kualifikohen si vepra penale”, theksoi për Portalb Kadriu.

Kujtojmë deklaratat e ekspertëve për përmbytjet në Shkup:

Profesori universitar Aleksandar Trendafilov, i Fakultetit të Pylltarisë pranë Universitetit të Shkupit në intervistën e tij dhënë portalit Nova ka folur për arsyet e përmbytjeve, që sollën 22 viktima, transmeton Portalb.

“Prerja ilegale e pyjeve, lënia pas dore e kanalizimit dhe mosrespektimi i ligjeve sollën pasoja tragjike”, ka thënë mes tjerash profesori Trendafilov.

Sipas tij, 70% të fajit e bartin institucionet.

…………………………………………………………………………………..

Profesoresha universitare e menaxhimit me kriza dhe mbrojtje civile, Marina Mitrevska për DW shprehet se në këtë krizë kanë dështuar disa institucione, transmeton Portalb.

“Dështuan nga Drejtoria për punë meteorologjike, drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim, Qendra për menaxhimin me kriza, që duhet të jenë vazhdimisht në kontakt. Nëse qarkorja është kritike pse nuk e mbyllën, pse nuk paralajmëruan, pikërisht aty kishte më shumë viktima. Në kontinuitet flitet për instrumente, aktivitete të gatshme, prevenim dhe paralajmërim të hershëm. A thua askush se ka ditur se në atë hapësirë ka kanale të parregulluara? Ku është sistemi për të cilin ne ndajmë para që i njëjti të punojë dhe të jetë funksional”, thekson Mitrevska.

……………………………………………………………………………………………..

Gjeografi Ivica Milevski, profesor nga Instituti për gjeografi, kujton se kjo nuk është hera e parë të kësi moti të ligë.

“Gjithmonë, edhe viteve tjera, Stajkovcki, Hasanbegu, lagjja Cento rrugës për Haraçinë kanë pasur problem dhe për këtë arsye është e nevojshme një qasje e veçantë dhe ekip përkatës që do të propozojë masa preventive në raport me masat për ndërtimtari për të mos ndodhur fatkeqësi të këtilla. Dikush thotë se është normale të ketë dëme pas atij shiu. Po e vërtetë, por të ishin marrur masa në kohë, dëmet do të ishin 10 herë më të vogla nga ajo se çfarë ndodhi”, shprehet Milevski.

Ai shton më tutje se është urgjente pyllëzimi, mbulimi i shpateve të Malit të Zi të Shkupit me bimë, ku krijohen përrenjtë, pastrimi dhe zgjerimi i kanaleve, sigurimin e lirë në rrjedhën drejt lumit, transmeton Portalb.

“Janë të nevojshme një sër masash, janë të nevojshme hapësira të gjelbërta, korridore ku do të bëhet kullimi, ndërrimi kanalizimit aktual me të kanalizim që do të pranonte masë më të madhe të ujit”, theksoi Milevski.

Profesori porositë që këto masa duhet patjetër të ndërmerren, sepse, sipas tij, shira pritet të ketë edhe në vjeshtë, gjatë muajit nëntor, jo të këtij intensiteti por që do të jenë të forta.

……………………………………………………………………………………………..

Profesori universitar i Fakultetit të Ndërtimtarisë, Zhivko Veljanovski, në katedrën për ujësjellës dhe kanalizim, në një deklaratë për “Faktor”, në lidhje me përmbytjet e së shtunës në rajonin e Shkupit, thotë se rreth të reshurave dhe masës së ujit, prej të cilave ka ardhur deri te vërshimet “nuk mundet të flet, megjithatë mund të flet në lidhje me atë se çfarë ka ndodhur me projektimin e Qarkores së Shkupit”, transmeton Portalb.

“E di se ne, si Fakultet i Ndërtimtarisë ishim revizion i projektit themelor për Qarkoren e Shkupit. Sa më kujtohet mua, ne profesorët me revizionin tonë në projektin themelor të Qarkores, kërkuam që ujërat atmosferik të mos shkojnë as nën e as mbi Qarkore, dhe kemi insistuar që, të njëjtat, të derdhen në lumin Vardar. Përgjigjja atëherë ishte se do të bëjnë projekt, por aq sa e mbajë mend, një projekt i tillë nuk erdhi në revizion. Nuk e di dhe nuk mund të them se vërshimet në Stajkovcë, a janë m’u për këtë”, deklaroi Veljanovski.

……………………………………………………………………………………………………………………………………….

Kanale periferike të lëna pas dore, rrjet i kanalizimit atmosferik i lënë pas dore dhe projekte ndërtimore me gabime në shtratin e lumit Vardar janë arsyet kryesore për përmbytjet e mbrëmshme në Shkup, ku humbën jetën dhjetëra persona. Kështu ka deklaruar për portalin Nova Mirosllav Gërçev, profesor nga Fakulteti Arkitektonik, transmeton Portalb.

Numri më i madh i të lënduarve, të humburve dhe viktimave si pasojë e përmbytjeve janë nga vendet periferike të Shkupit.

“Te ne i gjithë kanalizimi përreth qytetit është ndërtuar në kohën e socializmit, bëhet fjalë për afro 1.000 kilometra kanal. Ky rrjet është lënë pas dore ose shumë pak është nën përkujdesje”, ka deklaruar Gërçev, transmeton Portalb.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button