Në fokus rasti i Kumanovës, avokatët: Të akuzuarit nuk janë terroristë

Seanca e djeshme për rastin “Lagjja e Trimave- Kumanovë” zgjati afro 5 orë. 29 personat të cilët akuzohen për terrorizëm kategorikisht kanë mohuar aktakuzën duke kërkuar dëshmi, mbi të cilat është krijuar aktakuza, raporton Portalb.

Pas mbarimit të seancës, brenda 8 ditëve pritet që Këshilli për vlerësimin e aktakuzës të vlerësoj aktakuzën. Pas fjalës së Këshillit pritet që të caktohet edhe seanca e radhës për rastin “Lagjja e Trimave- Kumanovë”.

“Tani duhet ta presim vendim e Këshillit gjyqësor për vlerësimin e aktakuzës. Këshilli do të vendos a do të miratohet kjo aktakuzë, a do të fuqizohet- brenda 8 ditëve. Nëse miratohet do të thotë caktohet seanca e parë gjyqësore. Ne, të gjithë avokatët i kemi elaboruar kundërshtimet tona me aktakuzën. Pos shkeljes procedurale gjatë procedurës së hetuesisë kemi kërkuar të shpallet jo kompetente edhe prokuroria themelore”, sqaroi për Portalb avokatja mbrojtëse Artene Ademi.

Edhe avokati tjetër mbrojtës Naser Raufi ka thënë se nuk janë respektuar procedurat ligjore.

Raufi pas seancës gjyqësore tha se asnjë prej avoktëve mbrojtës nuk ka marrë në dorë ndonjë provë mbi bazën e të cilave akuzon antarët e grupit.

 Nuk i është mundësuar asnjërit prej 29 të akuzuarve që t’i shohin provat. Ky është dmth një lendim shumë i rëndë i ligjit, ku mbrojtja e të akuzuarit është e shkelur. Unë mendoj se ky është rast i montuar pasi mendoj se skenari është i shërbimeve sekrete dhe këto janë njerëz të pafajshëm, grup që ndoshta edhe i armatosur por jo me motiv për terrorizëm. Mendoj që seanca e radhës do të jetë diku në janar 2016. Prej përvojës them që shumë rralë te sistemi jonë juridik, kundërshtimet kundër aktakuzës kanë sukses për fat të keq”, deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Raufi njoftoi se pala mbrojtësë ka kërkuar që lënda të transferohet në duart e Prokurorisë Speciale por kërkesa e tillë është hedhur poshtë nga Këshilli Gjyqësor.

Prokurori i lëndës Naum Panovski ka pohuar se  ekzistojnë prova se ky grup më parë ka sulmuar stacionin policor në Goshincë, dhe me armët që i ka vjedhur prej aty, ka zhvilluar luftimet në Kumanovë.

“Gjykata zoton prova, dhe informacione të marra nga autoritetet e Kosovës. Në mëngjesin e 9 majit kur policia arriti, disa nga të pandehurit që ishin në grupin e parë hodhën një bombë dhe pastaj me armë automatike dhe snajperë qëlluan oficerët. Në dy ditë të luftimit u vranë tetë policë dhe disa të tjerë u plagosën”, qëndron në deklaratën e prokurorit Naum Panovski.

Familjarët: Nuk presim drejtësi nga ky shtet i padrejtë

Familjarët nuk janë lejuar të marrin pjesë në seancën e grupit të armatosur që ishin përfshirë në përleshjen e armatosur në Kumanovë me njësitin special të Maqedonisë. Ata shprehen të habitur se për çfarë arsye nuk kanë të drejtë, të marrin pjesë në këtë seancë dhe se ata nuk presin drejtësi, sipas tyre nga ky shtet i padrejtë, raporton Portalb.

“Nuk do të na lejojnë me hy. Më habit fakti se nuk e lanë as ambasadorin të hyjë. Këtu nuk ka gjykim të drejt, këtu në Maqedoni nuk ka asgjë të drejtë. Unë kisha bërë apel te organet ndërkombëtare të drejtësisë, sepse nuk presim gjykim të drejt dhe njerëzor”, tha Ismail Zekaj, babai i Valdet Zekaj.

Sipas Muhamet Shehut, familjarë i Dem Shehut, bëhet fjalë për process të montuar politik, i inskenuar prej koalicionit shqiptaro-maqedonas.

“Siç po na shihni ne familjarët e të burgosurve kemi ardhur këtu, por nuk po na lejohet të hyjmë brenda dhe të marrim pjesë në procesin gjyqësor. Ky është një proces i montuar politik. Proces i inskenuar prej strukturave udhëheqëse maqedonase dhe koalicionit shqiptaro-maqedonas. Nuk i dimë shkaqet dhe arsyet se pse nuk na lejuan të hyjmë”, tha Shehu.

Skënder Krasniqi, babai i Muhamet Krasniqit- Malisheva, ka thënë se aspak nuk pret gjykim të drejt nga një shtet që ka shtruar terror mbi qytetarët e vet, raporton Portalb.

“Nuk na kanë dhënë asnjë përgjigje, se pse nuk mund të hyjmë në seancë. Kanë vënë policinë këtu para neve. Ndërsa ne duam ta realizojmë vetëm një të drejt tonën, fatkeqësisht këtu po presim pa përgjigje të gjithë; gra, fëmijë dhe pleq”, deklaroi Krasniqi.

Policia nuk e ka lënë të futet brenda sallës ku do të mbahet seanca as ambasadorin e Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa.

“Këshilli për vlerësimin e aktakuzës, të mos e pranojë aktakuzën për terrorizëm”

Sipas avokatëve të mbrojtjes, siç konstatoi Këshilli i gjykatësve, janë ngritur ankesa ndaj aktakuzës ndërsa disa nga avokatët kanë ngritur ankesa për më shumë të akuzuar, njofton Portalb.

Mbrojtja e një pjesë të akuzuarve në arsyetimin e ankesave theksoi se sipas rezultateve nga procedure hetimore, është e qartë “se ajo që i ka paraprirë ngritjes së aktakuzës është shembulli më i mirë për atë se si nuk guxon të zbatohet një procedurë hetimore në veçanti për veprat penale që përmenden në të”.

“Në këtë rast, ne fare nuk kemi hetim të përfunduar ndërsa nëse kjo është maksimumi që prokuroria mund ta nxjerr, ju si Këshill për vlerësimin e aktakuzës, në përputhje me të drejtat dhe obligimet sipas Ligjit për procedurë penale, jeni të obliguar të mos e lejoni këtë” thanë nga mbrojtja e një pjese të të akuzuarve.

Nga konflikti i armatosur që ndodhi në ‘Lagjen e Trimave’ më 9 dhe 10 maj të këtij viti, ishin vrarë 10 anëtarë të grupit të armatosur, 8 pjesëtarë të policisë maqedonase dhe 37 të tjerë u lënduan. Për rastin në fjalë fillimisht ishin arrestuar tridhjetë persona dhe 7 tjerë në aksionin policor të tetorit. U dëmtuan 127 familje apo gjithsej 549 banorë; 26 shtëpi u dëmtuan pjesërisht, ndërsa 17 tërësish./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button