Ri-hapet dosja Kumanovë: Fakte, kundërshtime, spekulime

Sot sërish u hap plaga e quajtur “Kumanovë”, pesë muaj pas përleshjeve e përgjakshme të policisë dhe grupit të armatosur në Lagjen e trimave në Kumanovë ku 8 persona nga forcat speciale të policisë humbën jetën, 37 rezultuan të lënduar, opinioni edhe më tej e bren misteri dhe pret nga institucionet kompetente të përgjigjen në pyetjen : “Çfarë saktë ndodhi në Kumanovë”?

MPB pas përfundimit të përleshjes së armatosur doli me njoftim se “është shkatërruar një prej grupeve më të rrezikshme në Ballkan” e cila ka planifikuar sulme ndaj institucioneve shtetërore dhe në ditët në vazhdim publikoi video regjistrime nga aksioni, pas çka vijoi heshtje totale. U zhvilluan arrestime ndërsa rasti vijon, ende nuk është ngritur akt-padia. Pala mbrojtëse e një pjese të dyshuarve është njoftuar se hetimi i Prokurorisë Publike është në fazën përfundimtare por avokati Naser Raufi i cili përfaqëson disa prej 30 të dyshuarve ende nuk i ka marrë dëshmitë.

Çfarë dihet dhe çfarë u njoftua zyrtarisht

(nga institucionet kompetente në lidhje me aksionin në Kumanovë, por edhe sulmin ndaj karakollit në Gushincë si uverturë e ngjarjeve në “Lagjen e trimave”)

  • 8 pjesëtarë policisë humbën jetën ndërsa të lënduar rezultuan 37
  • Grupi i armatosur në Kumanovë ka numëruar rreth 40 pjesëtarë
  • Në luftimet me policinë janë vrarë 10 pjesëtarë të grupit ( numri që e publikoi Prokuroria është në kundërshtim me numrin që e publikoi MPB, sipas të cilës në Lagjen e trimave janë gjetur trupat e 14 personave nga grupi i armatosur
  • Pas përleshjeve me policisë, janë dorëzuar 28 pjesëtarë të grupit të armatosur
  • Si lider i grupit konsiderohet Muhamed Krasniqi- Komandant Malisheva, Mirsad Ndrecaj- Komandan  NATO, Sami Ukshini- Komandant Sokoli, Beg Rizaj- Komandant Begu dhe Dem Shehu –Juniku.
  • Grupi disa muaj është ndjekur nga shërbimet e sigurisë
  • Grupi i njëjtë është përgjegjës për sulmin në Gushincë më 21 prill
  • Grupi ka planifikuar të sulmojë caqe shtetërore
  • Në rrethinën e f. Brezë, në bunker në vend të hapur është gjetur armatimi i vjedhur nga karakolli i Gushincës (vendin e ka treguar njëri nga të arrestuarit në aksionin në Kumanovë, ku sipas të dhënave të mediumeve që kompetentët as nuk i konfirmuan e as nuk i demantuan, ka arritur t’i ik policisë
  • Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti në intervistë për emisionin “Rruga drejt…” në Alsat –M, tha se ka marrë pjesë në bisedimet për dorëzimin e grupit

Spekulime

(në lidhje me prapavijën e ngjarjeve të Kumanovës, që një pjesë u treguan të saktë, por një pjesë edhe më tej shkaktojnë kundërshtime në opinion, por edhe reagime tek një pjesë e shërbimeve të sigurisë)

  • Pjesëtarët e shërbimeve sekrete të Maqedonisë kanë kontaktuar me grupin me muaj me radhë para ngjarjeve të 9 dhe 10 majit
  • Agjencia e inteligjencës kosovare e ka njoftuar presidente Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Isa Mustafa për mundësinë e incidenteve në Kosovë.
  • Përmenden emrat e politikanëve maqedonas, agjentë dhe funksionar që kanë qenë të përfshirë në incident
  • Policia kosovare përmes bisedave të përgjuara ka mësuar se grupi ka planifikuar sulm në burgun e Podujevës dhe lirimin e dy kriminelëve të përfolur
  • Luftimet në Kumanovë kanë qenë skenar i përgatitur pas të cilit ka qëndruar tradhtia e grupit
  • Planet për Kumanovën janë bërë në makinë BMW në Ferizaj
  • Një natë para sulmit janë evakuuar 70% e popullatës në Lagjen e Trimave në Kumanovë
  • Situata ka dalë nga kontrolli kur pjesëtarët e grupit kanë filluar të qëllojnë drejt policisë
  • Stojançe Angelov disa javë para ngjarjes informoi se një grup kriminal ka marrë 2 milion euro që të shkaktoj incidente të armatosura në rajonin e Likovës.

Pjesën më të madhe të informacioneve i kanë publikuar mediumet kosovare para se gjithash gazeta “Koha Ditore”.

Në lidhje me një pjesë të informacioneve para tre ditëve Agjencia e inteligjencës doli me njoftim ku reagon për zbulimin e identitetit të nëpunësit së tyre në mediume dhe paralajmëroi se ka nisur procedurë në Prokurori për konfirmimin e përgjegjësisë. Megjithatë, Agjencia në njoftimin e saj nuk demanton se nëpunës i tyre ka pasur kontakt me të dyshuarit para ngjarjeve të 9 dhe 10 majit.

E paqartë:

  • Cilët kanë qenë shkaqet dhe motivet kryesore të grupit të Kumanovës?
  • A bëhet fjalë për organizatë kriminale apo terroriste?
  • Nëse janë terroristë, pse nuk dolën me komunikatë apo kërkesë politike?
  • Nëse shërbimet e sigurisë më gjatë kohë e kanë grupin pse nuk kanë alarmuar në kohë, pse nuk është parandaluar sulmi në Gushincë dhe përleshjet në Kumanovë?
  • Cili është emri kodues i aksionit policor në Kumanovë?
  • A është e vërtetë se në këtë janë përfshirë shërbimet të huaja
  • Pse ende nuk ngritet akt-akuza dhe pse pala mbrojtëse nuk mund t’i sheh dëshmitë?

Lajme të ngjashme

Back to top button