Rasti “Lagjja e Trimave”, familjarët: Nuk presim drejtësi nga ky shtet i padrejtë

Po vijon procesi gjyqësor për rastin e Kumanovës. Të akuzuarit për terrorizëm janë deklaruar të pafajshëm para Gjykatës Themelore Shkupi 1, raporton Portalb. Familjarët nuk janë lejuar të marrin pjesë në seancën e grupit të armatosur që ishin përfshirë në përleshjen e armatosur në Kumanovë me njësitin special të Maqedonisë. Ata shprehen të habitur se për çfarë arsye nuk kanë të drejtë, të marrin pjesë në këtë seancë dhe se ata nuk presin drejtësi, sipas tyre nga ky shtet i padrejtë.

“Nuk do të na lejojnë me hy. Më habit fakti se nuk e lanë as ambasadorin të hyjë. Këtu nuk ka gjykim të drejt, këtu në Maqedoni nuk ka asgjë të drejtë. Unë kisha bërë apel te organet ndërkombëtare të drejtësisë, sepse nuk presim gjykim të drejt dhe njerëzor”, tha Ismail Zekaj, babai i Valdet Zekaj.

Sipas Muhamet Shehut, familjarë i Dem Shehut, bëhet fjalë për process të montuar politik, i inskenuar prej koalicionit shqiptaro-maqedonas.

“Siç po na shihni ne familjarët e të burgosurve kemi ardhur këtu, por nuk po na lejohet të hyjmë brenda dhe të marrim pjesë në procesin gjyqësor. Ky është një proces i montuar politik. Proces i inskenuar prej strukturave udhëheqëse maqedonase dhe koalicionit shqiptaro-maqedonas. Nuk i dimë shkaqet dhe arsyet se pse nuk na lejuan të hyjmë”, tha Shehu.

Skënder Krasniqi, babai i Muhamet Krasniqit- Malisheva, ka thënë se aspak nuk pret gjykim të drejt nga një shtet që ka shtruar terror mbi qytetarët e vet, raporton Portalb.

“Nuk na kanë dhënë asnjë përgjigje, se pse nuk mund të hyjmë në seancë. Kanë vënë policinë këtu para neve. Ndërsa ne duam ta realizojmë vetëm një të drejt tonën, fatkeqësisht këtu po presim pa përgjigje të gjithë; gra, fëmijë dhe pleq”, deklaroi Krasniqi.

Policia nuk e ka lënë të futet brenda sallës ku do të mbahet seanca as ambasadorin e Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa.

Avokatët e të akuzuarve kanë ngritur ankesa duke konsideruar se aktakuza ndaj tyre është e pabazë. Avokati Naser Raufi ka theksuar se as ai as avokatët tjerë nuk i kanë parë argumentet kundër të akuzuarve dhe ka kërkuar të njëjtat t’u prezantohen.

Nga konflikti i armatosur që ndodhi në ‘Lagjen e Trimave’ më 9 dhe 10 maj të këtij viti, ishin vrarë 10 anëtarë të grupit të armatosur, 8 pjesëtarë të policisë maqedonase dhe 37 të tjerë u lënduan. Për rastin në fjalë fillimisht ishin arrestuar tridhjetë persona dhe 7 tjerë në aksionin policor të tetorit. U dëmtuan 127 familje apo gjithsej 549 banorë; 26 shtëpi u dëmtuan pjesërisht, ndërsa 17 tërësish./Portalb.mk

Seanca e sotme pritet të zgjatë deri në orët e vona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button