Zjarrfikësit e Tetovës apelojnë për kujdes nga zjarret: Mos hidhni cigare vend e pavend

Njësia Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë ka apeluar deri te qytetarët që të jenë të kujdesshëm këto ditë ku temperaturat janë të larta për rrezikun e shfaqjes së zjarreve. Ata thonë që qytetarët duhet të kenë kujdes ku hedhin cigare, pasi shpesh fajtorë është faktori njeri, transmeton Portalb.mk.

Komandanti i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë – Avni Ameti njoftoi se këto ditë me rritjen e temperaturave është rritur edhe numri i zjarreve në ambiente të hapura, ku fatkeqësisht në shumicën e rasteve fajtorë është vetë faktori njeri.

“Apelojmë deri tek qytetarët e Komunës së Tetovës, dhe komunave tjera rurale që gravitojnë në Komunën e Tetovës, të jenë sa më të kujdesshëm në këtë periudhë kohore, duke mare parasysh dëmet që mund të shkaktohen nga paraqitja e zjarreve në natyrë dhe në objekte. Gjithashtu apelojmë deri te bujqit dhe pushuesve në natyrë, të mos ndezin zjarre dhe të mos hedhin cigare, pasi që një shkëndijë e vogël mund të shkaktojë një katastrofë të madhe në këto temperatura të larta”, tha Ameti.

Ata apelojnë gjithashtu për kujdes që të mos dëmtohen të mirat materiale të qytetarëve, pyjet dhe fushat, dhe ajo që është më me rëndësi të mos rrezikohet jeta e njeriut.

“Gjithashtu ju apelojmë që të keni shume kujdes edhe me zjarret në kontejnerë të cilët janë bërë një dukuri gati se e përditshme, ku na shtohen rastet e intervenimeve në zjarre në kontejnerë. Ju lutem të keni kujdes me gjërat që hidhni në kontejner!”, tha Ameti duke shtuar se janë në dispozicion 24 orë për të ju dalë në ndihmë qytetarëve.

Ndryshe, vendi ditëve të fundit po përballet me temperatura të larta, për këtë Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme ka shqyrtuar informacionin nga Ministria e Shëndetësisë për temperaturat e larta që priten në katër ditët e ardhshme dhe ka miratuar rekomandimet përkatëse.

Komuna e TetovësTetovaZjarrZjarrfikës
Comments (0)
Add Comment