Ndryshimet në Ligjin për Avokatin e Popullit të Maqedonisë së Veriut, që synojnë forcimin e pavarësisë dhe zgjerimin e kompetencave të këtij institucioni, u diskutuan sot në një debat në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, OSBE-së, BE-së, OKB-së dhe shoqërisë civile, shkruan Portalb.mk.
Gjatë debatit, Avokati i Popullit, Faton Selami, tha se ndryshimet ligjore janë të nevojshme që institucioni të mund të aplikojë për statusin A, që u jepet institucioneve kombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ai theksoi se një institucion i pavarur dhe efikas është i rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Ai po ashtu theksoi se pavarësia financiare dhe burimet e mjaftueshme janë kushte për funksionimin e institucionit.
“Vetëm institucioni që disponon me mjetet e nevojshme financiare dhe ka pavarësi të garantuar operative mund ta ushtrojë plotësisht dhe në mënyrë efikase rolin e tij kushtetues dhe ligjor në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut”, tha Selami.
Për rëndësinë e këtyre ndryshimeve foli edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi. Ai tha se ndryshimet duhet të mundësojnë zbatimin e plotë të kompetencave të Avokatit të Popullit dhe përmbushjen e standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Gashi theksoi rëndësinë e përfshirjes së institucioneve dhe shoqërisë civile në këtë proces.
“Kontributi i institucioneve, partnerëve ndërkombëtarë, ekspertëve, komunitetit akademik dhe shoqërisë civile është po aq i rëndësishëm për të siguruar që këto zgjidhje ligjore të jenë të zbatueshme, cilësore dhe plotësisht në interes të qytetarëve”, theksoi Gashi.
Ndërkaq, ambasadori i OSBE-së në Shkup, Kilian Wahl, deklario se për funksionimin e institucionit nevojiten kompetenca për hetime dhe burime të mjaftueshme njerëzore e financiare. Ai përmendi edhe rëndësinë e pavarësisë institucionale dhe të emërimeve transparente, të bazuara në meritë.
“Pavarësia financiare nuk është thjesht çështje administrative, por thelbësore për pavarësinë institucionale”, deklaroi Wahl.
Ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, vlerësoi se forcimi i Avokatit të Popullit është pjesë e rrugës evropiane të vendit. Rokas tha se Avokati i Popullit duhet të jetë i pavarur, por edhe llogaridhënës ndaj qytetarëve.
“Pavarësia e Avokatit të Popullit është thelbësore që kjo të bëhet realitet, por institucioni duhet të mbetet llogaridhënës ndaj qytetarëve, veçanërisht ndaj atyre që u përkasin grupeve të cenueshme ose të margjinalizuara”, u shpreh Rokas.
Ndërsa koordinatorja e përhershme e OKB-së ne Maqedoninë e Veriut, Rita Columbia, theksoi se forcimi i institucionit është pjesë e rekomandimeve të BE-se dhe se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë është i rëndësishëm për zbatimin e tyre.
“Derisa Maqedonia e Veriut ecën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, institucionet efektive dhe efikase do të bëhen gjithnjë e më të rëndësishme”, tha Columbia.
Debati i sotëm në Kuvend u organizua nga Zyra e Avokatit të Popullit, me mbështetjen e OSBE-së, Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara.
Kujtojmë se në raportin vjetor të punës së Avokatit të Popullit në Maqedoninë e Veriut, janë regjistruar 2 400 parashtresa, ndërsa 521 janë transferuar nga viti paraprak. Në vend të parë është gjyqësori me 307 parashtresa ose 12,79%; më pas pasojnë parashtresat nga të drejtat e konsumatorëve 264 ose 11,00%; nga marrëdhëniet e punës 219 ose 9,13%; dhe nga fusha e të drejtave të fëmijëve 198 ose 8,25%.
LEXO: Këto janë katër ankesat më të shpeshta të qytetarëve të RMV-së te Avokati i Popullit