Zgjedhjet si shprehje e vetëdijes së lartë shtetërore

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë u ndoqën me vëmendje nga të gjithë shqiptarët, por edhe ndërkombëtarët. Pati interesim të madh edhe te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Qoftë për shkak të lidhjeve të përhershme të kësaj pjese me Kosovën, qoftë për shkakun se partitë politike të këtushme kanë afërsi me njërën apo partinë tjetër në Kosovë.

Fushata parazgjedhore këtë herë ishte më e zjarrtë dhe më dinamike sesa herave të tjera. Pati edhe teprime, premtime jo realiste, por edhe akuza të ashpra.

Për përbërjen e qeverisë së ardhshme ka disa opsione, për sa kohë asnjëra parti nuk e ka fituar shumicën e domosdoshme për të qeverisur e vetme.

Është legjitime që partitë politike të pretendojnë një shumicë absolute, që të mos kushtëzohen nga partitë e përfshira në koalicion qeveritar, por për demokracinë është mirë kur asnjëra parti nuk e ka këtë shumicë.

Kosova edhe pas zgjedhjeve, pavarësisht sesi do të duket qeveria e ardhshme, do të frymojë lirshëm. Qytetarët e Kosovës kanë bërë shumë sakrifica për një shtet të pavarur, demokratik dhe pluralist, ku përfaqësuesit politikë do të zgjidhen me votën dhe vullnetin e lirë.

E bukura e këtyre zgjedhjeve ishte votimi i lirë dhe demokratik. Shprehja vullnetit të lirë politik i nderon qytetarët e Kosovës. Dëshmon se ata kanë vetëdije të lartë kombëtare, shtetërore dhe demokratike. Dëshmon se qytetarët e Kosovës, që kanë vuajtur aq shumë nga njëmendësia dhe nga terrori, i respektojnë vlerat e demokracisë.

Kosova ka institucione stabile që dinë të organizojnë zgjedhje shumë më demokratike se shtetet e rajonit dhe më gjerë. Një komb me vetëdije të lartë qytetare, shtetërore dhe demokratike dëshmon se është i emancipuar dhe europian.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSalajdin Salihu