Sot, në Gjykatën Themelore Penale në Shkup vazhdon procedura dëshmuese në rastin “Lotaria Shtetërore”, ku të akuzuar janë tetë persona, mes tyre ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, transmeton Portalb.mk.
Në këtë fazë pritet të fillojë paraqitja e provave materiale të Prokurorisë. Prokuroria ka propozuar gjithsej 231 prova materiale, ekspertiza dhe dëgjimin e shtatë dëshmitarëve.
Në seancën e 18 shtatorit, Bajrami, i cili më 9 shtator u dorëzua vetë në pikën kufitare “Bllacë” pas një periudhe jashtë vendit, u deklarua se nuk ndihet fajtor për akuzat që i ngarkohen.
Akuza, të cilën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, ka të bëjë me veprime të ndërmarra gjatë viteve 2023 dhe 2024, me të cilat të akuzuarit kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve të tyre zyrtare, megjithëse e kanë ditur se SHA “Lotaria Shtetërore” nuk ka të drejtë të organizojë në mënyrë të pavarur lojëra elektronike të fatit përmes terminaleve videolotarie. Kjo e drejtë që në vitin 2013 ishte investuar si kontribut jo-monetar në vlerë prej 6,2 milionë eurosh në themelimin e kompanisë së përbashkët “Lotaria Shtetërore Videolotarie e Republikës së Maqedonisë – KASINOS AUSTRIA”, ku SHA “Lotaria Shtetërore” zotëron 51 përqind të aksioneve.
Ndryshe, gjatë hetimit të akuzuarit ngarkoheshin për veprën penale “përvetësim në shërbim”, për të cilën, sipas nenit 354 të Kodit Penal, parashihet dënim më i lartë, por me dorëzimin e propozim-akuzës, prokurorët nga PTHP Shkup e rikualifikuan veprën në “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit”.
“Sa i përket arsyes se përse është ndryshuar kualifikimi – ai është ndryshuar sepse konsideruam se nuk kemi siguruar prova me të cilat do të arrinim ta dëshmonim veprën penale të përvetësimit në shërbim”, tha në një deklaratë për mediat prokurori Daniel Kocev, pas përfundimit të seancës më 7 shtator.
Risi në propozim-akuzë është se Prokuroria e ka saktësuar më tej atë, gjë që ka rezultuar nga ekspertiza dhe, sipas saj, në vend që të akuzohen për dëm në vlerë prej 507.623.173 denarësh ose 8,2 milionë eurosh, të akuzuarit tani ngarkohen për dëm prej rreth 9,7 milionë eurosh ose 596.125.511 denarësh.
Procesin gjyqësor e drejton gjyqtarja Biljana Shuplinovska Jovevska, si gjyqtare e vetme, pasi lënda është ngritur me propozim-akuzë dhe jo me aktakuzë dhe zhvillohet sipas procedurës së shkurtuar.