Të punësuarit në Gjykatën e Kumanovës protestuan para Gjykatës, kërkuan dorëheqjen e kryetares

Pauzën e mesditës së të martës, të punësuarit në Gjykatën e Kumanovës e shfrytëzuan për protestë. Mbi 70 administratorë dhe gjykatës para godinës së Themelores shprehen revoltën ndaj kryetares së Gjykatës Snezhana Manev. Kreu i Sindikatës së SPOGJ-it, përmendi fyerjet që i bëhen puntorëve, shkruan TV21.

Trpe Deanovski, kryetar i Sindikatës SPOGJ, tha se kryetarja e Gjykatës së Kumanovës, Snezhana Manev, i ofendon dhe kërcënon të punësuarit.

“Kafshë! Jevgë! Jeni të marrë – asgjë nuk dini! Do t’ju djeg! Do të ju vë nën këmbë! Së pari do të mbys e pastaj do ta lëshoj punën! Ju nga kjo gjykatë mund të dilni vetëm me ndihmë të shpejtë! Sharjet tjera që i ka bërë ndaj të punësuarave mua personalisht më vjen turp t’i them! Këto janë vetëm një pjesë e fyerjeve, të cilat i durojnë vite me radhë të punësuarit në Gjykatën Themelore të Kumanovës për vite me radhë nga kryetarja e kësaj Gjykate, Snezhana Manev”, tha Trpe Deanovski, kryetar i Sindikatës SPOGJ.

Ankesa e firmosur nga 75 të punësuarit nuk është marrë parasysh nga Këshilli Gjyqësor, të cilit i bëjnë thirrje të ndërmarrin masa, përndryshe protesta do të radikalizohet me grevë disa ditore. Deanovski tha se punëtorëve u bëhet mobing, presion dhe kërcënime nga kryetarja e Gjykatës andaj kërkojnë dorëheqjen e Snezhana Manev.

“Të punësuari disa herë i janë drejtuar Këshillit Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë, por deri më tani kryetarja nuk ka asnjë sanksion. Në parashtresën e fundit të të punësuarve drejtuar Këshillit Gjyqësor, erdhën dy përfaqësues të tyre në Themeloren e Kumanovës dhe në vend që t’i mbrojnë të punësuarit, ata i kanë marrë në pyetje nëse janë nënshkrimet e tyre në ankesë! Ndërsa nënshkrimet e 75 të punësuarve ishin në letër. Kërkojmë nga Këshilli Gjyqësor të merr masa të menjëhershme të parashtresave dhe t’i mbroj ata, e jo kryetarët e gjykatësit, të cilët e prishin imazhin e shtetit”, u shpreh Trpe Deanovski, kryetar i Sindikatës SPOGJ .

Nga Zyra e kryetares së Gjykatës reaguan me kumtesë, duke hedhur poshtë pretendimet e të punësuarve në atë institucion të drejtësisë. Manev citohet të ketë thënë se reduktimi i numrit të punësuarve ndër vite nga 165 në 115, shkaku i pensionimeve, emigrimit dhe arsye tjera, ka shtuar volumin e punës dhe riorganizimi ka irrituar të punësuarit që kanë shkaktuar revoltën.

“Unë jam gjykatëse për 21 vjet dhe 9 vjet jam Kryetare e Gjykatës Themelore në Kumanovë. Nuk kam pasur kurrë probleme me punonjësit ose me organizatën sindikale. Pretendimet se atmosfera e punës është prishur nga sjellja ime e paligjshme dhe e papërshtatshme ndaj punonjësve, se procesi i punës është prishur nga unë, gjë që ka shkaktuar frikë, trazira, si dhe pasiguri se çfarë do të ndodhë të nesërmen, janë plotësisht të pasakta dhe të pavërteta. Ata DUHET të jenë plotësisht të përkushtuar dhe të angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrave të tyre! Unë nuk pranoj asgjë më pak, as nuk bëj kompromise, pikë”, deklaroi Snezhana Manev, kryetare e Gjykatës themelore të Kumanovës.

Nga Kryetarja Manev në kumtesë apostrofohen edhe organizatorët e protestës si administratorja Marta Krashoviq, kryetari i sindikatës Srgjan Todoroviq, zyrtari Milton Manaki dhe disa të tjerë. Ajo thotë se sipas dispozitave të punës ka shqiptuar gjoba për moskryerje të detyrave, lëndë të cilat ende nuk janë të plotfuqishme derisa të shqyrtohen ankesat e Krashoviq dhe Manakit. Të punësuarit thonë se nuk do të ndalen së protestuari deri në dorëheqjen e kryetares Manev.

Ndryshe, Instituti për Demokraci „Societas Civilis“ – Shkup kërkon që përfundimi i skriningut me Bashkimin Evropian të shfrytëzohet për përshpejtimin e reformave, duke propozuar një plan të qartë me detyra, institucione përgjegjëse, afate dhe mënyrë për matjen e progresit. Nga Instituti theksojnë se kanë kaluar më shumë se dy vjet e gjysmë nga përfundimi i skriningut në dhjetor të vitit 2023, ndërsa Komisioni Evropian tashmë ka publikuar raportet për të gjashtë klasterët negociues. Sipas tyre, këto raporte i kanë dhënë vendit një pasqyrë të detajuar për nivelin e harmonizimit me legjislacionin dhe standardet e BE-së, dobësitë institucionale dhe reformat që duhet të zbatohen.

IDSC propozon gjithashtu që rekomandimet e skriningut të lidhen me Agjendën e Reformave 2024–2027, Programin Kombëtar për Miratimin e së Drejtës së BE-së dhe rekomandimet e raporteve vjetore të Komisionit Evropian, në mënyrë që të shmangen proceset paralele dhe të krijohet një kornizë e vetme për reformat.

Në këtë kuadër, Instituti vlerëson se duhet të ruhet edhe stafi i trajnuar për procesin e anëtarësimit dhe të krijohen stimuj financiarë dhe në karrierë për të punësuarit që janë të përfshirë në këtë proces.

Nga ana tjetër, pavarësia e gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut është shumë e ulët, presionet politike vazhdojnë, ndërsa rastet e korrupsionit të profilit të lartë rrallë herë përfundojnë me vendime të plotfuqishme, gjë që e përforcon ndjenjën e pandëshkueshmërisë. Këto janë disa nga vlerësimet kryesore në Raportin e fundit për sundimin e të drejtës për Maqedoninë e Veriut nga Komisioni Evropian.

KE thekson se zyrtarët e zgjedhur dhe përfaqësuesit e Qeverisë i kanë intensifikuar kritikat personale ndaj gjykatësve dhe prokurorëve, duke i akuzuar ata për korrupsion. Nga nivelet më të larta të Qeverisë, thuhet në raport, janë bërë edhe deklarata për “pastrimin” e gjyqësorit dhe prokurorisë.

Komisioni paralajmëron se deklarata të tilla rrezikojnë ta dëmtojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe parimin kushtetues për ndarjen e pushtetit.

Vetëm 21 përqind e qytetarëve e vlerësojnë pavarësinë e gjykatave dhe gjykatësve si “mjaft të mirë” ose “shumë të mirë”. Në vitin 2025 28 përqind e qytetarëve dhanë një vlerësim të tillë, që do të thotë një rënie prej shtatë pikësh procentuale në një vit.

KE vëren një përmirësim edhe në efikasitetin e lëndëve penale në vitin 2024, por efikasiteti i përgjithshëm i sistemit të drejtësisë ka vazhduar të bjerë për shkak të kohëzgjatjes më të gjatë të pothuajse të gjitha kategorive të tjera të procedurave.

Pasqyra e përgjithshme në raport është se po bëhen ndryshime ligjore dhe institucionale, por ato ende nuk po japin rezultate mjaftueshëm të dukshme në pavarësinë e gjyqësorit dhe në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Presionet politike, mungesa fondeve dhe kuadrit, procedurat e gjata dhe afatet më të shkurtra të parashkrimit vazhdojnë ta nxisin ndjesinë se lëndët e profilit të lartë nuk po përfundojnë me llogaridhënie efektive.

Këshilli Gjyqësor RMVKëshilli për reforma në sektorin e gjyqësorit RMVMinistria e Drejtësisë (MD)Reforma ne gjyqësor – drejtësi