Sistemi “Safe City” do të zgjerohet edhe në Kumanovë, me vendosjen e kamerave të reja që do të përdoren për evidentimin e shkeljeve të rregullave në komunikacion, transmeton Portalb.mk.
Komandanti i Stacionit Policor në Kumanovë, Tomislav Dodevski, bëri të ditur se numri aktual i kamerave nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar të gjitha pikat ku ka nevojë për monitorim. Sipas tij, zgjerimi i sistemit lidhet edhe me kërkesat e qytetarëve.
Kamerat e reja pritet të vendosen në disa lokacione në qytet. Aktualisht sistemi funksionon në bulevardin “Revolucioni i Tetorit” dhe në lokalitetin “Tabakana”, ndërsa pajisje për monitorim ka edhe në hyrje-daljet e Kumanovës dhe përgjatë disa rrugëve rajonale.
Nëpërmjet kamerave, policia evidenton shkeljet në komunikacion dhe shqipton gjoba për kundërvajtjet e regjistruara.
Në Kumanovë, gjobat e bazuara në pamjet e sistemit “Safe City” kanë nisur të shqiptohen në shkurt të këtij viti. Me zgjerimin e rrjetit të kamerave pritet që monitorimi i trafikut të përfshijë edhe pika të tjera të qytetit.
Sistemi “Qyteti i Sigurt” për evidentimin automatik të kundërvajtjeve në trafik funksionon që nga 1 shkurti i këtij viti, ndërsa deri më tani janë evidentuar mbi me mijëra kundërvajtje në trafik.
Në fazën e parë ‘Qyteti i Sigurt’ filloi vetëm në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe në Korridoret 8 dhe 10.