Vetëm një hyrje falas për 24 orë me të njëjtën makinë në Aeroportin e Shkupit, reaguan taksitë

Shoqata e taksistëve ka reaguar ndaj regjimit të ri për përdorimin e zonës “Hug & Fly” në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, duke e cilësuar kufizimin e hyrjes së automjeteve si problematik për transportuesit e licencuar dhe për udhëtarët, transmeton Portalb.mk.

Sipas Shoqatës, me rregullat e reja, qëndrimi falas deri në 10 minuta lejohet vetëm një herë me të njëjtin automjet brenda 24 orëve. Ata vlerësojnë se kjo masë prek veçanërisht taksitë, të cilat gjatë një dite mund të kryejnë disa transfere të ndryshme drejt dhe nga aeroporti.

“Ky kufizim krijon problem serioz për transportuesit e licencuar auto-taksi, të cilët, për nga natyra e punës së tyre, gjatë një dite mund të kenë disa udhëtarë të ndryshëm me transferim drejt ose nga aeroporti”, thuhet në reagimin e Shoqatës.

Nga Shoqata pyesin se si kufizimi prej 24 orësh kontribuon në uljen e trafikut të dendur para terminalit.

Sipas tyre, nëse qëllimi është rregullimi i kaosit, zgjidhja mund të ishte kufizimi i kohës së qëndrimit ose vendosja e një intervali të arsyeshëm ndërmjet dy hyrjeve falas, për shembull një orë.

“Një kufizim prej plot 24 orësh drejtpërdrejt i godet automjetet që profesionalisht kryejnë disa transfere të ndryshme gjatë ditës”, theksojnë taksistët.

Shoqata paralajmëron se regjimi i ri mund të sjellë edhe rritje të çmimit të shërbimeve të taksive.

Nëse një taksi duhet të hyjë për herë të dytë gjatë së njëjtës ditë, transportuesi duhet të paguajë për hyrjen në parking ose ta bartë këtë kosto te udhëtari.

“Udhëtarët faktikisht do të paguajnë kosto shtesë jo për shkak të përdorimit më të gjatë të parkingut, por sepse i njëjti automjet taksi më herët gjatë së njëjtës periudhë 24-orëshe ka transportuar një udhëtar tjetër drejt ose nga aeroporti”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, kjo është veçanërisht problematike në rastet kur ndalesa zgjat vetëm dy minuta për të lënë një udhëtar.

Shoqata thekson edhe problemin e udhëtarëve me aftësi të kufizuara, të cilët udhëtojnë me karroca invalidore.

“Si transportues taksi kemi vazhdimisht udhëtarë me invaliditet që me vete kanë karroca dhe me këtë regjim do të pengohemi t’i lëmë ose t’i marrim drejtpërdrejt nga ndërtesa e terminalit”, thonë nga Shoqata.

Një tjetër shqetësim që ngre Shoqata lidhet me konkurrencën në treg.

Sipas tyre, në aeroport funksionon një operator aeroportual taksi, i cili ka mundësi për prani të vazhdueshme dhe marrjen e udhëtarëve menjëherë para terminalit, ndërsa operatorët e tjerë të licencuar përballen me qasje më të kufizuar.

Kjo, sipas tyre, ngre pyetjen nëse regjimi aktual siguron “kushte të drejta, transparente dhe të barabarta për qasje në treg”, apo nëse krijon avantazh për një operator të caktuar.

Shoqata kërkon që Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës ta shqyrtojë çështjen dhe të vlerësojë nëse kushtet e ndryshme të qasjes në infrastrukturën aeroportuale mund të kufizojnë konkurrencën.

Taksistët kanë ngritur edhe çështjen e mbrojtjes së të dhënave personale.

Nëse sistemi regjistron automatikisht targat e automjeteve dhe në bazë të tyre përcakton nëse një automjet e ka përdorur zonën gjatë 24 orëve të fundit, Shoqata kërkon nga TAV Maqedonia të sqarojë se: cilat të dhëna mblidhen; për çfarë qëllimi përpunohen; sa kohë ruhen; cila është baza ligjore për përpunimin e tyre; dhe cilat janë të drejtat e personave të prekur nga ky përpunim.

Shoqata thotë se nuk kërkon qëndrime të pakufizuara para terminalit, por një zgjidhje të arsyeshme.

Ata propozojnë që të respektohet rreptësisht koha maksimale e ndalimit, të mundësohen disa hyrje të shkurtra falas gjatë ditës dhe, nëse është e nevojshme, të vendoset një interval minimal ndërmjet dy hyrjeve falas.

Nga TAV Maqedonia kërkojnë që publikisht të arsyetojë pse është vendosur pikërisht kufizimi prej 24 orësh dhe mbi çfarë baze është marrë ky vendim.

Në fund, Shoqata paralajmëron se çështja nuk prek vetëm kompanitë e taksive.

“Në fund, koston shtesë do ta paguajnë udhëtarët”, theksojnë taksistët.

Aeroporti i Shkupit TAVTaksist(e)