Qendra Evropiane për Rezistencë Demokratike ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt përfshirjes së vendeve kandidate dhe kandidateve potenciale në punën e saj. Në margjinat e Këshillit për Çështje të Përgjithshme të BE-së, më 13 tetor në Luksemburg, ministrat e BE-së miratuan asociimin e Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Moldavisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Ukrainës, së bashku me Kosovën, transmeton Portalb.mk.
Ministrat diskutuan fushat e mundshme të bashkëpunimit me partnerët e zgjerimit në projektet e ardhshme, përfshirë zhvillimin e koncepteve dhe metodologjive të përbashkëta për zbulimin e manipulimit dhe ndërhyrjes së huaj në informacion (FIMI), matjen e rezistencës demokratike, pjesëmarrjen në ushtrime simuluese për menaxhimin e krizave, si dhe mbështetjen e sigurisë së jetës demokratike përmes trajnimeve të posaçme për mbrojtjen e gazetarëve, organizatave të shoqërisë civile, verifikuesve të fakteve dhe politikanëve.
Tashmë, shtetet anëtare mund t’i ftojnë partnerët e zgjerimit që të propozojnë, të bashkëudhëheqin dhe të marrin pjesë në disa nga projektet e Qendrës.
Pjesëmarrja e partnerëve të zgjerimit e zgjeron bashkëpunimin praktik të Qendrës dhe kontribuon në objektivat e saj kryesore për të përmirësuar kolektivisht kapacitetet për zbulimin dhe parashikimin e kërcënimeve ndaj rezistencës demokratike në Evropë dhe në fqinjësinë e saj, për të zhvilluar qasje të mirëkoordinuara dhe për të forcuar kapacitetet e reagimit të shpejtë, si dhe për të fuqizuar qytetarët, shoqërinë civile dhe institucionet që të kontribuojnë në rezistencën demokratike.
Qendra, e cila u inaugurua zyrtarisht më 24 shkurt 2026, tashmë është duke realizuar disa projekte konkrete me shtetet anëtare. Në fillim të shtatorit, në bashkëpunim me Agjencinë Suedeze për Mbrojtjen Psikologjike, filloi programi “Trajnimi i trajnerëve”, i cili synon të rrisë aftësitë e zyrtarëve qeveritarë në shtetet anëtare dhe të forcojë gatishmërinë e të gjithë institucioneve qeveritare dhe shoqërisë në tërësi.
Qendra ka nisur gjithashtu fazën pilot të Platformës së Palëve të Interesuara, për të testuar mënyrat se si mund të zhvillojë projekte konkrete për forcimin e rezistencës demokratike, së bashku me organizatat e pavarura të shoqërisë civile, mediat, verifikuesit e fakteve, studiuesit dhe profesionistët e edukimit mediatik nga e gjithë BE-ja.
“Demokracia nuk duhet të merret kurrë si e mirëqenë. Ajo duhet të mbrohet dhe të kultivohet. Çdo ditë dhe kudo. Qendra jonë Evropiane për Rezistencë Demokratike bashkon shtetet anëtare të BE-së, në mënyrë që ato të forcojnë demokracitë e tyre, qëndrueshmërinë e shoqërive të tyre dhe të luftojnë ndërhyrjet e huaja. Që nga sot, edhe vendet kandidate mund t’i bashkohen kësaj pune. Mund të mësojmë nga njëri-tjetri. Mund të bëhemi më të fortë së bashku”, deklaroi Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, në postimin e saj në platformën X.