Një grup studentësh, të rinjsh, profesionistësh dhe përfaqësuesish të diasporës kanë njoftuar krijimin e një force të re politike me emrin “Të Bashkuar për Shqipërinë”. Nisma synon të shndërrohet në një alternativë të re politike, të mbështetur te drejtësia, meritokracia, transparenca dhe përgjegjshmëria, raporton Euronews.
Përfaqësuesit e grupit nismëtar kanë bërë të ditur se ka nisur procesi i mbledhjes së firmave të nevojshme për krijimin e subjektit politik. Në javët në vijim, ata planifikojnë të zhvillojnë takime me qytetarët në qytete dhe fshatra të vendit, si dhe me shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë.
Në deklaratën prezantuese, një prej studenteve që përfaqëson grupin nismëtar tha se iniciativa ka lindur nga një grup studentësh dhe është mbështetur nga të rinj, pedagogë, profesionistë të fushave të ndryshme dhe pjesëtarë të diasporës.
Sipas saj, partia e re synon të krijojë një alternativë politike të hapur për të gjithë qytetarët që kërkojnë një model tjetër qeverisjeje, ku institucionet funksionojnë mbi bazën e shtetit të së drejtës dhe llogaridhënies.
Deklarata e plotë e grupit nismëtar
Ne, një grup studentësh, së bashku me të rinj, atdhetarë dhe profesionistë të fushave të ndryshme, nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, si dhe nga diaspora, deklarojmë sot me zë dhe figurë themelimin e Partisë “Të Bashkuar për Shqipërinë”, një parti e hapur për këdo që beson se Shqipëria mund të qeveriset me drejtësi, meritokraci, përgjegjësi dhe transparencë, në shërbim të popullit tonë.
Për 180 ditë, mijëra të rinj, prindër, mësues dhe qytetarë kanë treguar se Shqipëria nuk është e lodhur. Ajo është zgjuar dhe është bashkuar. Ky zë u përket të gjithë atyre që iu bashkuan kërkesave të protestës. Partia „Të Bashkuar për Shqipërinë” do t’u ofrojë atyre një rrugë kushtetuese drejt vendosjes së shtetit të së drejtës.
Prandaj, ne nuk po vijmë me një program të shkruar pas dyerve të mbyllura. Në javët në vijim do të jemi pranë jush, në qytetet dhe fshatrat, si dhe kudo ku jetojnë bashkatdhetarët tanë. Duam të bashkojmë zërat, përvojat dhe vullnetin e shqiptarëve për të ndërtuar së bashku një alternativë të re, për të bashkuar Shqipërinë dhe për t’i dhënë vendit drejtimin që meriton.
Ne nuk bëjmë premtime, ne vendosim standarde. Çdo angazhim yni do të ketë një objektiv të matshëm, një përgjegjës me emër, një kosto të llogaritur dhe një afat. Do ta masim rregullisht, do ta publikojmë dhe do ta verifikojnë ekspertë të pavarur. Kur nuk e arrijmë, do ta themi hapur, do të shpjegojmë pse dhe do të tregojmë se si do ta korrigjojmë. Sepse besimi nuk kërkohet, fitohet: premtim pas premtimi, rezultat pas rezultati. Shqiptarët meritojnë një politikë që u nënshtrohet të njëjtave standarde që i kërkohen çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë.
Përpara se t’i kërkojmë popullit besimin, i vendosim vetes rregulla: drejtues të zgjedhur me mandate të kufizuara, llogaridhënie publike, asnjë privilegj për themeluesit dhe asnjë ndikim për donatorët. Kjo parti nuk do të bjerë pre e kultit të individit. Ju ftojmë të ndërtojmë një institucion ku asnjë udhëheqës të mos mund ta zaptojë apo ta përdorë për interesa vetjake.
Ftojmë çdo shqiptar, brenda dhe jashtë vendit, të bashkohet. E ardhmja e Shqipërisë nuk do të ndërtohet nga një rreth i mbyllur. Do ta ndërtojmë së bashku.
Të gjithë, të bashkuar për Shqipërinë!
Në ditët në vijim do t’ju informojmë për çdo hap.
Faleminderit!
Grupi Themelues