Organizuar nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë dhe organizata humanitare gjermane “Arbeiter-Samariter-Bund” (ASB) në kuadër të projektit “Të bashkuar kundër dhunës në familje në Ballkanin Perëndimor – Bashkëpunimi rajonal dhe mbështetje për strehimoret për viktimat e dhunës në familje, sot u mbajt Konferenca Rajonale, në të cilën përveç zëvendësministrit për politikë sociale, demografi dhe rini, Gjoko Velkovski, mori pjesë edhe Jan-Axel Foss, zëvendës ambasador i Ambasadës Gjermane në Maqedoninë e Veriut, si dhe ministra dhe këshilltarë nga Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Serbia, transmeton Portalb.mk.
“Maqedonia e Veriut e njeh përgjegjësinë e madhe që kemi për përmbushjen e detyrimeve tona sipas kornizave ndërkombëtare, veçanërisht Konventës së Stambollit, e cila na shtyn të krijojmë mjedise të sigurta për viktimat. Jemi të përkushtuar për arritjen e qëllimeve të përcaktuara nga procesi i Berlinit dhe në kuadër të negociatave për anëtarësim me BE-në, veçanërisht në kapitujt 19 dhe 23, për të arritur përparim të dukshëm në parandalimin e dhunës dhe forcimin e barazisë gjinore”, tha Velkovski.
Duke folur për problemin e dhunës me bazë gjinore, Velkovski theksoi se parandalimi i dhunës me bazë gjinore dhe përfshirja e burrave në parandalimin e dhunës me bazë gjinore, ndërtimi i kulturës së tolerancës dhe respektit të ndërsjellë që në moshë të re është jashtëzakonisht i rëndësishëm.
Të pranishmit u njoftuan se në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë krijuar 13 shërbime të specializuara për përkujdesjen e grave viktima të dhunës në familje dhe dhunës në bazë gjinore (strehimore) në 6 rajone planore. Shërbimet e marra nga gratë viktima përfshijnë një sërë masash dhe aktivitetesh që synojnë mbrojtjen, mbështetjen e të drejtave, sigurisë dhe mirëqenies së grave dhe vajzave viktima të dhunës me bazë gjinore, si dhe strehimin e tyre të sigurt, këshillim dhe dhënie informacioni rreth të drejtave dhe shërbimeve.
“Ky shërbim i ndihmon viktimat në shërimin e tyre, forcimin, parandalimin e rishfaqjes së dhunës dhe ndryshimin e qëndrimeve dhe perceptimeve për dhunën”, shtoi zëvendësministri për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini.
Ai konsideron se kjo nuk mjafton, gjegjësisht se nevojitet zbatimi i duhur, i plotë dhe efikas i Ligjit nga të gjitha institucionet dhe kujdesi i duhur, në mënyrë që të mbrohen viktimat në përputhje me të drejtat dhe liritë e njeriut.
Velkovski informoi se ka filluar procesi i përgatitjes së Strategjisë për luftimin e dhunës me bazë gjinore.
“Strategjia do të jetë një udhërrëfyes për veprimet e ardhshme dhe përmirësimin e reagimit kombëtar në luftën kundër dhunës me bazë gjinore.”
Zëvendësministri Velkovski në fund tha: “Qëllimi ynë më i lartë mbetet zbatimi i standardeve më të larta për mbrojtje efektive të viktimave të dhunës me bazë gjinore”.