Vazhdon gjyqi kundër 13 policëve në rastin “Puls”, u shfaqën video nga zjarri në diskotekën e Koçanit

Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot vazhdoi procesi gjyqësor kundër 13 zyrtarëve policorë, të cilët akuzohen për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, të lidhura me tragjedinë në diskotekën “Pulse” në Koçan. Në seancën e sotme prokurorja publike Spasenka Andonova fillimisht vazhdoi me paraqitjen e provave nga ana e Prokurorisë., transmeton Portalb.mk.

Në sallën e gjyqit u shfaqën video-incizime, për të cilat u tha se janë nga brendësia e diskotekës “Pulse”, ku më 16 mars 2025 kishte performuar grupi DNK. Në pamje shihej zjarri dhe persona që, me shumë gjasë, drejtoheshin drejt daljes së diskotekës.

Njëri nga avokatët reagoi se në asnjërën nga videot nuk shihej ndonjë nga zyrtarët policorë të akuzuar aktualisht. Sipas tij, ndër të tjera, nuk shihej as se kush e kishte aktivizuar piroteknikën.

Aleksandar Naunov, babai i njërës prej viktimave të zjarrit në diskotekën në Koçan, në një deklaratë për mediat iu drejtua drejtpërdrejt të akuzuarve.

“Një pyetje nuk mund ta heshtim. Thoni se keni pasur detyrë të kërkoni droga narkotike. Nëse është kështu, si nuk e gjetët atë që, sipas shumë banorëve, e dinte e gjithë Koçani? A nuk e patë vërtet apo nuk deshët ta shihnit, dhe kalonit në heshtje? Hyni në diskotekë, por nuk reagoni ndaj piroteknikës. A është parandalimi i rreziqeve të tilla pjesë e detyrave tuaja zyrtare? Nëse është, atëherë pse nuk vepruat?”, pyeti ai në deklaratën për mediat gjatë njërës prej pauzave.

Ai shtoi se ligji nuk njeh arsyetimin “nuk e kisha turnin për këtë” kur bëhet fjalë për mbrojtjen e jetëve njerëzore.

Në zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan, më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit DNK, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u lënduan. Kjo është një nga tragjeditë më të rënda në historinë e re të vendit.

Numri i përgjithshëm i të akuzuarve në procesin gjyqësor është 35 persona dhe tri kompani. Mes tyre janë pronari dhe persona nga struktura e të punësuarve të diskotekës, ish-ministra të ekonomisë, ish-kryetarë të Komunës së Koçanit, inspektorë dhe zyrtarë të tjerë. Të gjithë do të gjykohen për të njëjtën vepër penale – “shkaktim të veprave të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.

KoçaniZjarri në diskotekën në Koçan