Teatri Shqiptar Shkup po bëhet pjesë e një prej projekteve më domethënëse ndërkombëtare teatrale të këtij viti. Në Malmo të Suedisë ka nisur realizimi i “UNRECOGNIZED”, një bashkëprodhim evropian që sjell në qendër tema të ndjeshme si identiteti, zhvendosja dhe realiteti i territoreve të paidentifikuara apo të okupuara, duke bashkuar institucione prestigjioze teatrore dhe artistë nga disa vende të Evropës, shkruan Portalb.mk.
Në kastën ndërkombëtare të aktorëve nga katër shtete, Teatri Shqiptar Shkup përfaqësohet nga aktori Shkëlqim Islami, duke shënuar kështu një pjesëmarrje të rëndësishme në këtë produksion me përmasa evropiane.
Ismet Ramadani, drejtor i Teatri Shqiptar në Shkup, për Portalb.mk, tha se arti është guximi për ta thënë të vërtetën që të tjerët heshtin, dhe ura që na nxjerr nga kufijtë tanë drejt një shoqërie më të hapur e më të zhvilluar.”
“Normalisht, këtë e shohim si art dhe njëherit si mundësi për të dalë nga ai rreth vicioz, ku për shumë vite ne si shoqëri kemi qenë të mbyllur brenda kufijve tanë, pa pasur mundësi ta shijojmë lirinë e konsumimit artistik. Po flas gjithmonë për mundësitë për të këmbyer përvoja kulturore ndërkombëtare. Nga ana tjetër, a është kjo një guxim që sfidon një lloj heshtjeje politike e shoqërore në Evropë? Them se po, pasi artisti gjithmonë duhet ta thotë të vërtetën, apo atë që nuk mund ta thotë gjithkush, ndërsa teatri, gjatë gjithë historisë së tij, gjithmonë ka përcjellë porosi që kanë qenë kyçe për zhvillimin kulturor të një shoqërie”, tha Ramadani.
Ai shtoi se premiera në Teatrin Shqiptar në Shkup dhe pjesëmarrja e tyre në festivalin ‘Skena pa kufij’ në Sofje janë dëshmi se arti nuk njeh kufij etnikë, por synon ta pushtojë Evropën kulturalisht përmes dialogut, guximit dhe përvojave të përbashkëta skenike.
“Kjo që premiera do të mbahet në Teatrin Shqiptar në Shkup tregon se ne jemi partner bartës të këtij projekti dhe se jemi shumë të interesuar të dalim jashtë kufijve tanë etnikë për të këmbyer përvoja të ndryshme skenike me teatrot e mëdha evropiane, njëherit duke trajtuar edhe temat më të ndjeshme e më të ndryshme. Ajo që ne jemi të interesuar është ta “pushtojmë Evropën kulturalisht”, dhe ajo që e vlerësojmë si sukses është edhe pjesëmarrja jonë në Sofje të Bullgarisë, në festivalin “Skena pa kufij”, më 28 mars, me shfaqjen “Rinoqerontët”, ku kemi nderin ta hapim këtë festival duke luajtur në skenën e Teatrit Nacional Bullgar “Ivan Vazov””, tha Ramadani.
“UNRECOGNIZED” sjell në fokus tema të ndjeshme dhe aktuale, duke trajtuar kompleksitetin e grupeve të pakicave të panjohura dhe shpesh të padukshme, si dhe realitetin e territoreve të paidentifikuara dhe/ose të okupuara në Evropë. I ndërtuar mbi përvojat e përbashkëta të vendeve partnere, projekti synon të krijojë një produksion teatral ndërkulturor që thellohet në çështjet e identitetit, zhvendosjes dhe sovranitetit.
Përmes bashkëpunimit mes artistëve të teatrit, zërave akademikë dhe komuniteteve lokale, projekti synon të nxisë dialogun dhe mirëkuptimin rreth këtyre temave politikisht të ndjeshme.
Ky projekt realizohet në bashkëpunim mes Ornproduktion nga Stokholmi, Qendrës Multimedia nga Prishtina dhe Teatrit Shqiptar Shkup, ndërsa pjesë e tij janë edhe Royal District Theatre nga Tbilisi, Kyiv Academic Theatre on Pechersk nga Kievi, Dramaten, The Royal Dramatic Theatre nga Stokholmi, Malmö City Theatre dhe Göteborgs Stadsteater.
Premiera e shfaqjes do të mbahet në Teatrin Shqiptar Shkup, në mes datave 8 ose 10 tetor.