Komisioni Evropian ka njoftuar se platformat ChatGPT, Reddit dhe Roblox do t’u nënshtrohen rregullave të Bashkimit Evropian që zbatohen për platformat dhe motorët e kërkimit shumë të mëdhenj online transmeton Euronews.
Vendimi vjen pasi të tre shërbimet kanë deklaruar se arrijnë të paktën 45 milionë përdorues aktivë në muaj në Bashkimin Evropian, pragu që përcakton klasifikimin e tyre si shërbime “shumë të mëdha.
Sipas Komisionit Evropian, ChatGPT, Reddit dhe Roblox kanë katër muaj kohë nga përcaktimi i tyre për të përmbushur detyrimet shtesë që parashikon legjislacioni evropian.
Ndër të tjera, kompanitë duhet të vlerësojnë dhe të marrin masa për reduktimin e rrezikut të përhapjes së përmbajtjeve të paligjshme përmes shërbimeve të tyre.
Ato gjithashtu duhet të adresojnë efektet e mundshme negative ndaj të miturve, si dhe rreziqet që platformat mund të paraqesin për mirëqenien fizike dhe mendore të përdoruesve.
Rregullat e BE-së kërkojnë gjithashtu që platformat dhe motorët e kërkimit shumë të mëdhenj të kufizojnë rreziqet që lidhen me të drejtat themelore, proceset zgjedhore dhe sigurinë publike.
Komisioni Evropian do të ketë kompetencë për të mbikëqyrur zbatimin e DSA-së dhe do të mund të zhvillojë hetime për të vlerësuar mënyrën se si funksionojnë shërbimet dhe veçoritë e tyre.
Sipas përcaktimit të Komisionit, ChatGPT klasifikohet si motor kërkimi online. Ndërkohë, platforma e lojërave Roblox dhe platforma e diskutimeve Reddit klasifikohen si platforma online, pasi u mundësojnë përdoruesve të shpërndajnë publikisht përmbajtje të palëve të treta.
Klasifikimi i ri i vendos të tre shërbimet përballë kërkesave më të forta të transparencës, vlerësimit të rreziqeve dhe mbikëqyrjes nga autoritetet evropiane.