Komuna e Gostivarit informoi qytetarët se situata në qytet po shkon drejt normalizimit të plotë. Ata shtojnë se falë angazhimit të institucioneve në nivel lokal dhe qendror, organizatave, miqve dhe të gjitha palëve të përfshira, të cilëve u shprehim mirënjohjen tonë për shkallën e lartë të gatishmërisë dhe angazhimit që kanë treguar, transmeton Portalb.mk.
“Shtabet e krizës, në nivel qendror dhe lokal, funksionojnë në mënyrë efikase dhe në përputhje me planin për sanimin e situatës. Institucionet kompetente po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për normalizimin e plotë të situatës dhe sigurimin e kushteve të sigurta për qytetarët”, njoftoi Komuna.
Siç u bë e ditur sot, uji nga rrjeti i ujësjellësit në Gostivar mund të përdoret për qëllime teknike. Ndërkohë, ekspertët dhe ekipet kompetente po punojnë intensivisht për sigurimin e ujit të pijshëm në afatin më të shkurtër të mundshëm.
“Komuna e Gostivarit do të vazhdojë t’i informojë qytetarët në mënyrë të rregullt dhe transparente për të gjitha zhvillimet e mëtejshme dhe rekomandimet e institucioneve kompetente”, thonë nga Komuna e Gostivarit.
Ndryshe, në Gostivar u shpall epidemi të problemeve gastrointestinale, pas paraqitjes së numrit të lartë të i qytetarëve me simptoma si diarre, të vjella dhe dehidratim.
Kujtojmë se me propozim të Prokurorisë, Gjykata Penale në Gostivar shqiptoi 30 ditë paraburgim për tre të dyshuarve për ndotjen e ujit në sistemin e ujësjellësit në Gostivar. Gjykatësja Dragoslada Veselinova tha se duke pasur parasysh dënimin e paraparë me ligj që iu ngarkohet të dyshuarve sanksionohet me të paktën 4 vjet burg, ndërsa, shtoi ajo nëse lihen të mbrohen në liri, ekziston rreziku që ata të arratisen ose të ndikojnë te dëshmitarët.
Inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, së bashku me policinë dhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, konstatuan se në tubacionin kryesor ishte vendosur në mënyrë të paligjshme një pompë që fuste drejtpërdrejt ujë nga lumi Vardar. Kontrolli u krye pas njoftimit të prokurorit publik për shkak të dyshimeve se uji ishte ndotur, pas ankesave të qytetarëve. Më pas, uji u ndalua për pirje.
Prokuroria Publike më 20 korrik shpalli rezultatet e analizave, të cilat treguan se në ujë kishte pasur 48 herë më shumë baktere se vlerat e lejuara.