U shty për herë të dytë gjykimi për ndërtimin e teatrit dhe bibliotekës në Tetovë

Në Gjykatën Themelore në Tetovë për herë të dytë filloi dhe menjëherë u shty gjykimi për shumë vepra penale që lidhën me ndërtimin e teatrit dhe bibliotekës në Tetovë, raporton Portalb.mk.

Të pandehurit sot ishin Haki Fetai, ish-drejtor i Qendrës Kulturore “Ilo Anteski-Smok”, i cili në një kohë ishte përgjegjës për ndërtimin e teatrit dhe bibliotekës, Artan Arslani, kryetar i komisionit të prokurimit publik, dhe më pas ushtrues detyre drejtor i Qendrës për Kulturë në Tetovë dhe Bajram Muça si inxhinier kryesor mbikëqyrës në kompaninë e angazhuar si organ mbikëqyrës në zbatimin e kontratës së prokurimit publik nga viti 2015 deri në vitin 2020.

I pandehuri Sebi Shasivari, pronar dhe menaxher i personit juridik të pandehur “Urban Plan Construction” nga Tetova, nuk u paraqit sot në gjykim për shkak të sëmundjes, për të cilën gjykatës i janë dorëzuar dokumente në lidhje me gjendjen e tij shëndetësore.

Për shkak të mungesës së njërit prej të pandehurve, si dhe për shkak se të pandehurit Haki Fazliu dhe Artan Arslani punësuan një avokat të ri i cili kërkoi të njihej më tej me aktakuzën, gjykatësi Elvedin Ferati e shtyu seancën dhe caktoi vazhdimin e gjykimit për 8 tetor.

Në dhjetor 2024, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit raportoi se, pas kryerjes së një hetimi gjithëpërfshirës, ​​kishte ngritur aktakuza në Gjykatën Themelore në Shkup kundër katër individëve dhe një personi juridik.

Sipas deklaratës së Prokurorisë, në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2020, ata me vetëdije kanë anashkaluar rregulloret dhe rregullat e procedurës për dhënien e një kontrate për prokurim publik dhe kanë keqpërdorur pozitën dhe autorizimet e tyre zyrtare, duke përvjetësuar kështu një përfitim material prej 832,983,064 denarë, ose rreth 13 milionë euro, për personin juridik të akuzuar.

Ndryshe, punimet për përfundimin e objektit të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës do të zvarriten përsëri dhe nuk do të përfundojnë këtë vit. Ndonëse ky objekt ndërtohet mbi 11 vite, në shtator të vitit 2025 akoma nuk ka datë konkrete se kur përfundimisht do t’i hapë dyert për publikun.

Ndërtimi i Objektit të Teatrit dhe Bibliotekës ishte premtuar që më 6 tetor të vitit 2010, kur ministrja e atëhershme e Kulturës, Elizabeta Kançeska–Milevska e prezantoi zgjidhjen ideore për pamjen e teatrit multifunksional, që duhet të ofrojë teatër, kinema dhe bibliotekë.

Gurë-themeli për ndërtimin e këtij objekti u hodh më 28 nëntor të vitit 2014. Punimet janë zhvilluar shumë ngadalë dhe me shumë probleme të cilat Portalb i ka dokumentuar ndër vite. 

 

Biblioteka dhe Teatri i TetovësGjykatës(e) - Gjykim - GjyqësorTetova