U ndalua qarkullimi në autostradën mes Shkupit dhe Tetovës

Qendra për Menaxhimin me Kriza ka njoftuar që qarkullimi në autostradën ndërmjet Shkupit dhe Tetovës është bllokuar për shkak zjarrit, transmeton Portalb.mk.

“Autostrada Shkup–Tetovë është e mbyllur në të dy drejtimet, për shkak të zjarrit në komunën Zhelinë që po lëviz në drejtim të Erebinit të Tetovës”, raportoi Qendra.

Qendra njoftoi se në terren janë përfshirë edhe 30 pjesëtarë të Armatës.

“Ekziston dyshim i bazuar se zjarri është shkaktuar nga faktor njerëzor dhe i qëllimshëm”, deklarojnë nga Qendra, drejtori i së cilës, Muamed Aliu, është në teren me kryetarin e Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu.

Ky i fundit gjithashtu deklaroi se zjarri është i qëllimshëm, pasi janë gjetur goma në vendin e ngjarjes.

Zjarre në Zhelinë. Foto nga Portalb.mk.

Deri në ora 14:00 në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 6 zjarre aktive, 3 nën kontroll dhe 3 tjera të shuara. Zjarre aktive, përveç në Zhelinë, ka edhe në Vasilevë, Prilep, Brod, Veles dhe Saraj.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut deri më 23 korrik do të pranojë qytetarë të interesuar për të punuar në njësitë zjarrfikëse.

Për këtë arsye, ngjashëm si vitin e kaluar, është aktivizuar Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i Bashkimit Evropian.

Për të zbutur këtë situatë,  me vendim qeveritar pritet që 400 zjarrfikës të përkohshëm do të punësohen dhe të vendosen në Brigadat e Zjarrfikësve Komunal, që është gjysma e numrit të nevojshëm.

Kujtojmë dhe se në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.

Edhe viteve të fundit gjatë periudhës së verës vendi është përballur me shumë zjarre në pyje. Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).

Autostrada “Nënë Tereza”Autostradë(a)Dita e ZjarrfikësveTetovaZjarrZjarrfikës