Filluan aktivitetet e manifestimit “Nëntori në Tetovë”

Me aktivitetin “Intuita” është hapur sot manifestimi “Nëntori në Tetovë”. Deri më 28 nëntor, programi sjell aktivitete kushtuar Ditës së Alfabetit Shqip dhe Ditës së Flamurit, me pjesëmarrjen e shkollave, të rinjve dhe shoqërive kulturore të qytetit, transmeton Portalb.mk.

Programi i ditës së parë vazhdon sonte në orën 19 e 30 me mbrëmjen “Fëmijët festojnë Nëntorin”. Nesër, në orën 14, mbahet edicioni i nëntë i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Festat e Nëntorit”, ndërsa të dielën shënohet Dita e Alfabetit Shqip.

Të hënën, më 23 nëntor, në Tetovë promovohet libri i Jahja Llukës, që sjell dëshmi për përjetimet e të dëbuarve në Bllacë në vitin 1999. Po atë ditë, Shkolla e Tekstilit prezanton ekspozitën “Bota e Nemos kur dashuria krijon valë”, ndërsa në mbrëmje shoqëria kulturore artistike “Xheladin Zeqiri” paraqitet me programin e saj. Aktivitetet e së hënës përfshijnë edhe një vizitë studimore në Prishtinë të grupit “Rinia e Zëshme”.

Të martën, të rinjtë do të marrin pjesë në kuizin “Sa e njeh historinë tënde?”. Në tri mbrëmjet pasuese, publiku do të mund të ndjekë koncertin e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, një shfaqje të Teatrit të Qytetit dhe suitën orkestrale “Skënderbeu”.

Manifestimi përmbyllet të shtunën, më 28 nëntor. Në mesditë mbahet marshi festiv “Flamuri na bashkon”, i shoqëruar me program artistik, ndërsa në orën 15 festimet vazhdojnë në Pallatin e Kulturës me programin “Pallati feston”.

Afishja e programit të manifestimit “Nëntori në Tetovë”
Dita e Alfabetit Shqiptar 22 NëntorKomuna e TetovësKultura shqiptareKulturë lajme