“Moisiu” solli mbrëmë në Shkup pritjen e Godosë dhe dilemën e Hamletit për hakmarrjen (Video)

Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu” vazhdoi mbrëmë në Shkup me dy shfaqje. Teatri Shqiptar i Kumanovës solli në skenë “Duke pritur Godonë” të Samuel Beketit, ndërsa Teatri Metropol i Tiranës u paraqit me “Hamletin” e Uilliam Shekspirit, shkruan Portalb.mk.

Në shfaqjen “Duke pritur Godonë”, regjisori Qendrim Rijani e lidhi pritjen e personazheve të Beketit me përvojën e aktorëve të Kumanovës. Prej vitesh, trupa pret të ketë teatrin e vet, të pavarur nga shtëpia e kulturës dhe nga teatri maqedonas. Në një prononcim për Portalb.mk, Rijani tregoi se si kjo përvojë i dha kuptim të veçantë veprës në skenë.

“‘Duke pritur Godonë’ është ndër ato kryevepra botërore që citohen vazhdimisht në retorikën politike, në diskursin akademik e në atë intelektual. Por kush e njeh pritjen më mirë se Teatri Shqiptar i Kumanovës? Askush. Prej vitesh, kjo trupë pret të ketë teatrin e vet shqiptar, të pavarur nga Shtëpia e Kulturës dhe nga teatri maqedonas. Ndërkohë, për çdo shfaqje që arrin të nxjerrë në skenë, kalon nëpër peripeci e sakrifica. Pikërisht këtu e gjeta lidhjen mes aktorit dhe rolit. Aktori i kësaj trupe e di nga përvoja e vet ç’do të thotë të presësh me vite diçka që të takon. Kjo përvojë i jep rolit një të vërtetë të brendshme që aktori e sjell me vete që në provën e parë. Edhe ne, si popull i këtij vendi, e njohim mirë këtë gjendje. Pritja na është shtresuar në lëkurë, brez pas brezi. Prandaj kjo vepër e gjeti vetvetiu vendin në skenën tonë. Besoj se shumë nga ato që aktorët i thonë me zë, publiku i thotë bashkë me ta, në heshtje”, tha Rijani.

Mbrëmja vijoi me “Hamletin”, me regji të Jonida Beqos. Pas vdekjes së dyshimtë të të atit, princi përballet me intrigat për pushtet dhe me dilemën mes drejtësisë dhe hakmarrjes. Beqo tha për Portalb.mk se në qendër të kësaj vënieje në skenë janë dilemat që e shtyjnë njeriun të shohë nga vetja dhe të vërë në pikëpyetje marrëdhëniet me njerëzit përreth.

“Çdo gjeneratë ka të drejtën dhe mundësinë e saj artistike për ta hulumtuar këtë vepër, duke i ofruar publikut një propozim të ri për Hamletin, gjithnjë duke ruajtur përmbajtjen dhe thelbin e asaj që Shekspiri ka dashur të përcjellë përmes kësaj vepre. Hamleti, pa dyshim, është një vepër thellësisht filozofike, e cila në thelb trajton përballjen e njeriut me dilemat e mëdha që ka me veten, brenda familjes, komunitetit ku bën pjesë, si dhe raportin mes së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes. Kjo ka qenë edhe qasja jonë regjisoriale. Ajo që do të dëshiroja shumë që publiku të merrte me vete pas kësaj shfaqjeje është një reflektim i thellë mbi veten, një lloj introspeksioni. Vetë Hamleti na kujton se teatri duhet t’i vërë pasqyrë realitetit. Ndoshta, duke i parë këta personazhe në skenë, secili prej nesh mund t’i shtrojë vetes pyetje të rëndësishme që lidhen me ekzistencën tonë si individë, si pjesëtarë të një familjeje, të një komuniteti apo të një kombi”, tha Beqo.

Aktorja Kosovare Krasniqi, e cila interpreton Ofelinë, tha për Portalb.mk se rikthimi në festival është një rast për t’u takuar me kolegët dhe për të shkëmbyer përvoja. Ajo foli edhe për rëndësinë që ka ky rol në karrierën e saj.

“Është kënaqësi që jam sërish pjesë e festivalit, pasi kam qenë edhe më herët pjesëmarrëse. Mendoj se është një festival shumë i rëndësishëm për të gjitha trojet shqiptare, sepse në fund na bashkon dhe na jep një mundësi tjetër për t’u takuar, për t’i treguar njëri-tjetrit punën tonë dhe për të shkëmbyer përvojat artistike. Roli i Ofelisë, natyrisht, ka një rëndësi të veçantë si për karrierën time, ashtu edhe për mua personalisht si aktore. Është një rol i vështirë, sikurse çdo rol tjetër që kam interpretuar deri më tani, sepse secili prej tyre e ka kompleksitetin e vet”, tha Krasniqi.

Amos Zaharia, i cili luan Hamletin, foli për sfidën e interpretimit të një personazhi që kalon nga një skaj i mendimit njerëzor në tjetrin.

“Jam shumë i kënaqur dhe njëkohësisht shumë i emocionuar që marr pjesë në këtë festival me një shfaqje kaq të bukur, e cila është një arritje shumë e madhe e sjellë nga regjisorja Jonida Beqo. Hamleti është një personazh shumëdimensional, madje do të thoja edhe ekstrem, sepse është një rol që, kryesisht përmes mendimit, lëviz në ekstremet e mendimit njerëzor. Është një personazh që paraqet sfida të mëdha ekzistenciale. Si aktor, duhet të them se e kam ndier që ky është një nga rolet më komplekse që është shkruar ndonjëherë në dramaturgjinë botërore”, tha Zaharia për Portalb.mk.

Festivali vazhdon sonte me dy shfaqje. Në orën 18:00, në skenën e vogël, Teatri i Qytetit të Preshevës sjell “Mytma burrin”, me regji të Kastriot Saqipit. Në orën 20:00, në skenën e madhe, Teatri i Tetovës paraqitet me “Magjistarin e Ozit”, me regji të Kushtrim Bekteshit.

Festivali i Teatrit "MOISIU"Kultura shqiptareKulturë lajmeTeatër shfaqje teatroreTeatri Shqiptar ShkupVideo Lajme