Nata e pestë e “Moisiut” solli dy shfaqje, “Mytma burrin” dhe “Magjistari i Ozit”

Mbrëmë vazhdoi nata e pestë e festivalit të teatrit “Moisiu”, duke sjellë në skenë dy shfaqje me tema dhe karaktere të ndryshme. Teatri i Preshevës u prezantua me komedinë e zezë “Mytma burrin” me autor Aldo Nikolaj, nën regjinë e Kastriot Saqipit, ndërsa Teatri i Tetovës solli shfaqjen “Magjistari i Ozit”, nën regjinë e Kushtrim Bekteshit, shkruan Portalb.mk.

Shfaqja “Mytma burrin” solli një histori të mbushur me humor, dashuri, intriga dhe situata të papritura. Në qendër të ngjarjes është Eva, një grua energjike dhe e paparashikueshme, e cila pas një takimi të rastësishëm me Brunon ia ndryshon tërësisht jetën. Mes ngjarjeve të pazakonta lind një histori dashurie, e cila merr një kthesë të papritur kur Eva i kërkon Brunos të vrasë bashkëshortin e saj, Marion. Por takimi mes dy burrave ndryshon rrjedhën e ngjarjeve, duke krijuar situata sa komike, aq edhe ironike.

Në këtë komedi, që trajton dashurinë posesive, manipulimin dhe përpjekjen për liri, interpretuan aktorët Valon Nuhiu, Fitore Jashari dhe Gani Veseli.

Foto nga shfaqja “Mytma burrin”. Foto: Teatri Shqiptar (Facebook)

Mbrëmja vijoi me shfaqjen “Magjistari i Ozit” të Teatrit të Tetovës, e cila solli një interpretim bashkëkohor të historisë së njohur përmes një ndërthurjeje të fantazisë me realitetin e sotëm.

Në versionin e regjisorit Kushtrim Bekteshi, Dorotia është një fëmijë që përballet me një botë të pasigurt, të prekur nga luftërat dhe pasojat e tyre. Edhe personazhet që e shoqërojnë gjatë udhëtimit marrin kuptime të reja. Dordoleci paraqitet si një ushtar i mësuar të zbatojë urdhra, Druvari si një personazh i traumatizuar nga lufta, ndërsa Luani frikacak simbolizon mungesën e guximit për t’iu kundërvënë pushtetit dhe së keqes.

Foto nga shfaqja “Magjistari i Ozit”. Foto: Portalb.mk

Përmes muzikës, koreografisë, kostumeve, skenografisë dhe projeksioneve tredimensionale, shfaqja krijoi një botë fantastike për fëmijët, por njëkohësisht përcolli mesazhe të fuqishme për të rriturit, duke trajtuar frikën, luftën, guximin dhe rëndësinë e lirisë.

Në skenë u paraqit një ansambël i gjerë aktorësh të Teatrit të Tetovës, të cilët përmes interpretimit, muzikës dhe lëvizjeve skenike sollën një përjetim të veçantë teatror.

Dy shfaqjet i dhanë natës së pestë të festivalit një larmi artistike, duke ndërthurur humorin dhe satirën me fantazinë dhe mesazhet e forta shoqërore.

Festivali i Teatrit "MOISIU"Kultura shqiptareKulturë lajmeTeatër shfaqje teatroreTeatri i TetovësTeatri Shqiptar Shkup