Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se janë identifikuar mbetjet mortore të tre intelektualëve të rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë nga forcat serbe në prill të vitit 1999, pas pranimit të raporteve të reja të ADN-së nga mbetjet mortore të zhvarrosura në Kalludër dhe Jabukë, raporton RTK.
Kurti bëri të ditur se, pas identifikimeve të para nga mbetjet mortore të zhvarrosura në Kalludër dhe Jabukë, janë pranuar raporte të reja të ADN-së, mbi bazën e të cilave janë identifikuar Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu dhe Ali (Islam) Haliti, pjesë e Grupit të Intelektualëve.
“Komisioni, bashkë me institucionet tjera përkatëse, tashmë i ka informuar familjet e tre intelektualëve dhe veprimtarëve të njohur të çështjes kombëtare, të cilët në prillin e vitit 1999 u rrëmbyen nga forcat e armatosura serbe dhe u zhdukën me dhunë. Ndajmë dhimbjen me familjet dhe u shprehim ngushëllimet më të sinqerta”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës.
“Zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë është prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës, bashkë me kërkesën dhe angazhimin për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës, të cilat vazhdon t’i mohojë e t’i fshehë, teksa klasifikon e mbyll dokumentet e arkivat, dhe glorifikon autorët e gjenocidit”, ka deklaruar Kurti.