Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka zhvilluar një takim me ministrin e Jashtëm të Greqisë, George Gerapetritis. Gjatë këtij takimi, Konjufca ka thënë se ka kërkuar që Greqia ta njoh Kosovën, mes tjerash edhe si një hap për fqinjësi më të mirë në rajon, raporton Koha.net.
Konjufca ka thënë se përveç mbështetjes që Greqia i ka dhënë liberalizimit të vizave për Kosovën, bashkëpunimi të vazhdojë e të marrë më shumë hov përmes dialogut politik më të rregullt e lidhjeve më të forta ekonomike.
“Përkrahja që Greqia dha për liberalizimin e vizave për Kosovën është ndër hapat që i kanë dhënë vlerë të drejtpërdrejtë bashkëpunimit mes dy vendeve tona. E çmojmë këtë përkrahje dhe duam që bashkëpunimi mes Kosovës dhe Greqisë të marrë edhe më shumë hov përmes dialogut politik më të rregullt e lidhjeve më të forta ekonomike. Njohja e Republikës së Kosovës nga Greqia do të ishte një hap me peshë për marrëdhëniet tona dhe për fqinjësinë e mirë në rajon”, ka shkruar Konjufca në Facebook.
Konjufca ka thënë gjithashtu se e ka ftuar homologun e tij grek që bisedën e radhës ta vazhdojnë në Kosovë.