Është arrestuar sërish i dyshuari për trafik droge, i cili katër ditë më parë u arratis përmes dritares nga stacioni policor në Koçan. Ministria e Punëve të Brendshme konfirmoi zyrtarisht se është ndaluar 41-vjeçari Aleksandar Lazarov, i njohur si Cunata, nga Koçani, transmeton Portalb.mk.
Pas arratisjes nga stacioni policor, ndaj tij ishte lëshuar urdhër-arrest qendror dhe ndërkombëtar.
“Më 14.07.2026, pas informacioneve operative për një person ndaj të cilit MPB kishte lëshuar urdhër-arrest qendror dhe ndërkombëtar, nga zyrtarët policorë të SPB Shkup – Sektori për Kërkime, u privua nga liria Aleksandar Lazarov (41) nga Koçani. Për Aleksandar Lazarov ishte lëshuar urdhër-arrest me kërkesë të Gjykatës Themelore të Koçanit, si i dyshuar për veprën penale sipas nenit 215, paragrafi 1 të Kodit Penal. Personi është dërguar në Stacionin Policor Kisella Vodë për procedurë të mëtejshme”, njoftoi MPB.
Sipas policisë, Lazarov është i njohur për policinë dhe kërkohej për veprën penale “prodhim dhe vënie në qarkullim të paautorizuar të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”.
Arratisja e tij nga stacioni policor shkaktoi reagime të shumta në opinion.
Ndërkohë, Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë MPB-së po zhvillon hetime për përgjegjësinë e mundshme të policëve nga të cilët Lazarov arriti të arratisej.
Opozita e cilësoi rastin si skandal dhe shprehu dyshime për afërsinë e Lazarovit me përfaqësues të pushtetit.