Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ka arritur një marrëveshje me presidentin rus, Vladimir Putin, për lehtësimin e përkohshëm të sanksioneve ndaj eksporteve të dizelit rus, një vendim që Ukraina e kritikoi menjëherë, duke e cilësuar si “dhuratë” për Kremlinin. Në përpjekje për të frenuar rritjen e ndjeshme të çmimeve të energjisë, Trump tha në një postim në rrjetet sociale më 9 tetor se dy udhëheqësit janë pajtuar që Rusia të nxjerrë menjëherë në treg 300.000 tonë dizel, të pasuar nga 500.000 tonë të tjerë në nëntor dhe një milion tonë shtesë më pas, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Sipas Trumpit, kjo masë do të bëjë që çmimet të “bien, në nivel rekord dhe shpejt!”.
Pas njoftimit, çmimet e kontratave të ardhshme për dizelin ranë me rreth 4 për qind, por mbetën mbi 110 për qind më të larta sesa në fillim të vitit. Ndërkohë, nafta bruto Brent tregtohej me rreth 104 dollarë për fuçi, me një rënie prej vetëm 0,3 për qind gjatë ditës.
Vendimi u mor në kohën kur zyrtarë ukrainas, amerikanë dhe evropianë po zhvillonin bisedime në Majami, me synimin për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Bisedimet përfunduan pa ndonjë përparim vendimtar.
Lehtësimi i sanksioneve nxiti kritika si në Kiev, ashtu edhe në mesin e ligjvënësve në Uashington, të cilët paralajmëruan se heqja e kufizimeve mund t’i siguronte Moskës të ardhura shtesë për të vazhduar luftën kundër Ukrainës.
Ky vendim ngriti gjithashtu pikëpyetje rreth politikës amerikane ndaj Rusisë, pasi Trump së fundmi kishte nënshkruar një ligj që synon ashpërsimin e sanksioneve ndaj vendeve që mbështesin tregtinë e energjisë me Moskën.
“Dhuratat për Putinin nuk do të sjellin paqe dhe as ndonjë përfitim për botën e qytetëruar”, shkroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në rrjetet sociale.
“Rusia do ta ‘shpërblejë’ dizelin me më shumë terror dhe pabesi. Lejimi i Rusisë që të shesë produkte të naftës është investim në një luftë që duhet të përfundojë, jo të zgjatet. Ajo që nevojitet është një ulje e vërtetë e tensioneve me Rusinë, mbi bazën e reciprocitetit”, tha ai.
Për të mundësuar eksportet e dizelit, Departamenti amerikan i Thesarit lëshoi një licencë të përgjithshme të përkohshme, e cila autorizon shitjen, dërgimin dhe importimin e dizelit me origjinë ruse deri më 7 prill 2027.
Trump tha se, pas sasive fillestare, Rusia do të furnizojë tregun edhe me tre milionë tonë të tjerë dizel “brenda një periudhe të shkurtër”.
Zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak, tha se Moska është e gatshme t’i rrisë furnizimet gjatë tetorit, ndërsa eksportet pritet të shtohen në nëntor dhe dhjetor, kur rafineritë të rifillojnë punën pas përfundimit të mirëmbajtjes.
Çmimet e dizelit janë rritur që kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmet ajrore ndaj Iranit në shkurt, duke shkaktuar një konflikt që tashmë ka hyrë në muajin e tetë.
Trump ka fajësuar sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse për rritjen e çmimeve dhe i ka kërkuar Zelenskyt të ndalojë goditjet ndaj objekteve energjetike të Rusisë.
“Problemi që kam me Ukrainën dhe Rusinë është se, e dini, një pjesë e madhe e dizelit vjen nga Rusia dhe rafineritë ruse po goditen nga Ukraina”, u tha Trump gazetarëve së fundmi.
Zyrtarët ukrainas kanë deklaruar se janë të gatshëm t’i ndalin sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, nëse Moska ndërpret valën e fundit të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe objekteve të tjera civile në Ukrainë. Ndërsa ekipi negociator ukrainas ndodhej në Florida, Zelensky vuri në pikëpyetje edhe qëllimin e bisedimeve në Majami, në një kohë kur Uashingtoni po i lejonte Rusisë të siguronte të ardhura nga eksportet e karburanteve.
“Besoj se ekipi ynë thjesht po përdoret si mbulesë”, tha ai.
Më herët, më 9 tetor, Zelensky priti në Kiev një delegacion senatorësh amerikanë nga të dyja partitë dhe bëri thirrje për shtimin e presionit ndaj Moskës. Ndërkohë, në Kongresin amerikan, vendimi për lehtësimin e sanksioneve ndaj Rusisë shkaktoi reagime të ashpra nga disa ligjvënës.