Gjykata në Beograd lëshoi fletarrestim për Radoiçiqin

Gjykata e Lartë në Beograd ka caktuar masë të paraburgimit dhe ka lëshuar fletarrestim për Millan Radoiçiqin, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë nga kjo gjykatë.

Fletarrestimi u lëshua pasi Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në veri të Kosovës më 2023, nuk u paraqit në stacionin policor të Savski Venacit në Beograd më 15 nëntor, siç është i detyruar sipas vendimit të Gjykatës së Lartë në këtë qytet.

Më herët gjatë ditës, Radio Evropa e Lirë u përpoq të kontaktonte për këtë çështje edhe avokatin Goran Petronijeviq, i cili e përfaqëson Radoiçiqin, por ai nuk iu përgjigj telefonatave dhe mesazheve.

Radoiçiq, i cili kërkohet nga policia ndërkombëtare, INTERPOL, për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë të Kosovës, është nën hetime nga Prokuroria e Lartë Publike në Serbi.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) ka lëshuar fletarrestimin për sulmin në Banjskë, për shkak se Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it.

Sipas Kodit të Procedurës Penale të Serbisë, fletarrestimi mund të lëshohet nëse i pandehuri është në arrati dhe ekziston një urdhër për sjelljen e tij ose një vendim për caktimin e masës së paraburgimit.

Lëshimin e fletarrestimit e urdhëron gjykata para së cilës zhvillohet procedura penale.

Ndërkaq, më 4 tetor 2023, gjykata e kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj Radoiçiqit. Në vend të kësaj, i kishte caktuar masat që ai të mos largohej pa leje nga vendbanimi, ia kishte konfiskuar pasaportën dhe i kishte ndaluar hyrjen në territorin e Kosovës.

Sipas Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, Radoiçiq dyshohet për disa vepra penale që lidhen me tregtimin e paligjshëm të armëve dhe “shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm”.

Kryeprokurori i Serbisë, Nenad Stefanoviq, duke iu përgjigjur pyetjes se pse nuk është ngritur aktakuza në rastin e Banjskës, deklaroi më 16 nëntor se autoritetet nuk kanë pranuar prova që kanë kërkuar nga Kosova përmes Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).

Edhe në të kaluarën, autoritetet në Kosovë kanë refuzuar kërkesën e Serbisë për t’i dhënë informacione lidhur me sulmin në Banjskë, duke thënë se kjo bie në kundërshtim me disa pika të Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, dhe se në bazë të ligjeve të Kosovës, vetëm organet gjyqësore të Kosovës kanë juridiksion t’i gjykojnë çështjet që pretendohet se janë kryer brenda territorit të vendit.

Ndërkohë, prokurorët në Kosovë i ngarkojnë 45 persona për sulmin ndaj Policisë në Banjskë të Zveçanit, në të cilin mbeti i vrarë një rreshter i KOsovës.

Tre prej sulmuesve janë dënuar, ndërsa të tjerë të dyashuar, përfshirë Radoiçiqin, janë në arrati.

Në kohën e sulmit në Banjskë, Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, e cila deri më tani ka vepruar me mbështetjen e Partisë Përparimtare Serbe dhe ish-presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Që nga tetori i vitit 2023, Radoiçiq e ka pasur për detyrë të paraqitet në stacionin policor më datat 1 dhe 15 të çdo muaji, ndërsa pasaporta i është konfiskuar. Sipas deklarimeve të mëhershme të Gjykatës së Lartë, ai e ka përfillur këtë masë deri më tani.

Megjithatë, më 13 nëntor, në publik u shfaqën pretendime jozyrtare se Radoiçiq ishte arratisur në Rusi.

Radoiçiq është, gjithashtu, nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Mbretërisë së Bashkuar, për shkak të akuzave për krim të organizuar dhe korrupsion.

Ai u pa për herë të fundit në publik para zgjedhjeve të 25 tetorit në Serbi, kur mori pjesë në tubimin parazgjedhor të Partisë Përparimtare Serbe në Kragujevc.

Më herët, nga Serbia është larguar Zvonko Vesellinoviq, biznesmen nga veriu i Kosovës dhe deri vonë bashkëpunëtor i Radoiçiqit.

Sipas konfirmimit që REL-i mori nga burime të sigurisë në Bosnje e Hercegovinë, ai udhëtoi me aeroplan nga Sarajeva drejt Turqisë më 11 nëntor, duke përdorur pasaportën serbe. Me të ishte edhe vëllai i tij, Zharko Vesellinoviq.

Të dy, sikurse Radoiçiqi, janë nën sanksionet amerikane, për shkak të akuzave për krim të organizuar dhe korrupsion.

BeogradiKosovaSulm terrorist - Terrorizëm