Liberalët e kryeministrit Mark Carney fituan zgjedhjet kanadeze, por nuk arritën shumicën e nevojshme për t’i ndihmuar të negociojnë tregtinë me Donald Trump. Udhëheqësi konservator Pierre Polieve pranoi humbjen, megjithëse në fillim të vitit ai konsiderohej favoriti për t’u bërë kryeministri i ardhshëm, transmeton Portalb.mk.
Liberalëve u nevojiteshin 172 vende në parlament për të pasur një shumicë që do t’u lejonte atyre të qeverisnin pa mbështetjen e një partie më të vogël.
Gjithçka tregonte se liberalët po përgatiteshin për opozitë pasi kryeministri Justin Trudeau dha dorëheqjen në janar, dhe sondazhet u dhanë konservatorëve një avantazh të madh, por Donald Trump u dha atyre një shtysë të madhe me tarifat dhe fushatën e tij për ta shndërruar Kanadanë në shtetin e 51-të të SHBA-së. Ai madje iu drejtua kanadezëve në ditën e zgjedhjeve për t’i motivuar ata që të votonin për një opsion që do ta bënte këtë të ndodhte.
Carney premtoi një qasje më të ashpër ndaj Uashingtonit lidhur me tarifat dhe tha se Kanadaja do të duhet të shpenzojë miliarda dollarë për të zvogëluar varësinë e saj nga Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, historia tregon se qeveritë e pakicave në Kanada nuk zgjasin më shumë se dy vjet e gjysmë.
“Për muaj të tërë kam paralajmëruar se Amerika dëshiron burimet dhe tokën tonë, madje edhe vendin tonë. Trump donte të na shkatërronte që të mund të na zotëronte, por kjo nuk do të ndodhë kurrë. Marrëdhënia jonë e vjetër e integrimit me Shtetet e Bashkuara ka mbaruar dhe kjo është një tragjedi. Ne e kemi kapërcyer tronditjen e tradhtisë së SHBA-së dhe tani duhet të kujdesemi për njëri-tjetrin. Qeveria ime do të punojë për dhe me të gjithë”, tha Carney në fjalimin e tij të fitores.
Ai njoftoi se do të flasë me Trumpin në ditët në vijim.
“Kjo është Kanadaja dhe ne vendosim se çfarë ndodh këtu. Kanadaja është më shumë se një komb, ne gjithmonë kemi qenë dhe gjithmonë do të jemi një federatë. Sfidat me të cilat do të përballet Kanadaja do të jenë të vështira, por unë kam besim tek të gjithë në vend”, shtoi Carney.
Sipas parashikimeve aktuale, liberalët duhet të kenë 161 deputetë dhe konservatorët 150.