Zelensky paralajmëroi “marrëveshje të rëndësishme” me kancelarin gjerman Merz

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka konfirmuar sulmin rus me dronë ndaj Urës Veriore të Kievit mëngjesin e sotëm. Një person humbi jetën gjithashtu në sulme të ndara ndaj një magazine farmaceutike në Sumy, shkroi presidenti i Ukrainës në platformën X, transmeton Telegrafi.

Ai tha se gjashtë rajone anembanë Ukrainës u sulmuan nga dronët rusë gjatë natës, ku në shënjestër ishin edhe “ndërtesa të zakonshme banimi”.

“Është e rëndësishme që Ukraina të mos lihet e vetme përballë këtij terrori”, ka thënë Zelensky, ndërsa shpërndau video të disa prej sulmeve.

Ndërsa duke iu referuar vizitës së Friedrich Merz në Kiev, Zelensky shprehu mirënjohjen për mbështetjen e kancelarit gjerman dhe tha se të dy liderët po “përgatisin vendime për t’i dhënë Ukrainës, dhe gjithë Evropës, kapacitete më të mëdha për t’u mbrojtur”.

Ai shtoi: “Do të ketë marrëveshje të rëndësishme mes Ukrainës dhe Gjermanisë. Rusia duhet të ndalet përmes një përpjekjeje të përbashkët”.

Ndërkohë, pavarësisht kërcënimit të vazhdueshëm të sulmeve ruse me dronë në Kiev, Volodymyr Zelensky dhe Friedrich Merz kanë zhvilluar aktivitete publike në qytet.

Dy liderët u fotografuan duke vizituar Akademinë Kombëtare të Shkencave, e cila u dëmtua në një sulm të fundit.

Para kësaj, ata bënë homazhe pranë një memoriali të improvizuar për ushtarët ukrainas të rënë në Sheshin e Pavarësisë.

Friedrich MerzLufta në UkrainëUkrainaVladimir Zelenski (Volodymyr Zelenskyy)