Nesër në orën 09:00 seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, në rend dite Ligji për Specialen

Pas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka caktuar për nesër seancën plenare të Kuvendit të Kosovës. Seanca do të mbahet në orën 09:00, transmeton Telegrafi.

Telegrafi mëson se në këtë seancë pritet të shqyrtohet edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i njohur si Ligji për Specialen.

Më herët gjatë ditës, Grupi Parlamentar i LVV-së kishte dorëzuar kërkesë për mbajtjen e seancës, ndërsa Haxhiu tashmë ka caktuar kohën e mbajtjes së saj.

Ndërkohë, Komisioni për Legjislacion do të mblidhet nesër në orën 08:00 për të shqyrtuar projektligjin, pas ngarkimit të këtij komisioni me trajtimin e tij.

Qeveria e Kosovës të premten vlerësoi se nuk ka pengesa ligjore për nismën e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Mendimi i Qeverisë i është dërguar Kuvendit, ndërsa ndryshimet ende nuk janë miratuar nga deputetët apo trajtuar nga komisioni parlamentar për legjislacion.

Projektligji i propozuar nga PDK-ja synon, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara, bartjen në Kosovë të rasteve që konsiderohen jashtë këtij juridiksioni, mundësinë e ankimit në Gjykatën Supreme, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë.

Ndryshimet në ligj janë propozuar pasi Dhomat e Specializuara në Hagë dënuan në shkallë të parë me gjithsej 81 vjet burgim Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Të katër të dënuarit kanë të drejtë ankese.

Parlamenti – Kuvendi i Kosovës