Në hekurudhën në Kisella Vodë, një i mitur 17-vjeçar nga Vollkova, është goditur nga rryma derisa ishte duke u ngjitur në një vagon cisterne, përcjell TV21.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14.55, kur cisterna ka marrë flakë, duke shkaktuar një incident të rëndë. I mituri është transportuar me urgjencë në Qendrën Emergjente me Ndihmën e shpejtë.
Sipas informacioneve, ky rast tragjik lidhet me një trend të rrezikshëm në platformën TikTok, ku të rinjtë inkurajohen të kryejnë aktivitete të rrezikshme.
Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut së fundmi u ngrit alarmi për rrjetin TikTok nga lëndimet që u shkaktuan te fëmijët në sfidën e ashtuquajtur “Supermen”, por ministri i Digjitalizimit, Stefan Andonovski deklaroi se Qeveria nuk planifikon ta kufizojë përdorimin e TikTokut. Një nismë e ngjashme për kufizim të TikTokut në RMV u propozua edhe në vitin 2023, por nuk u bë asgjë konkrete ndërsa e njëjta mbeti në harresë.
Nga sfidat e TikTokut në RMV janë regjistruar disa raste me dëme te të rinjtë.
Gjatë vitit 2022 një vajzë në moshë të re pësoi djegie nga rryma pasi ishte ngjitur në një vagon për të bërë foto dhe i njëjti u shkëput dhe iu afrua rrjetit elektrik.
Alarmi në 2022 u ngrit edhe për sfidën e TikTokut ku të rinjtë shtriheshin në rrugë dhe prisnin derisa t’ju afrohej automjeti i parë dhe më pas të ikin.
Portalb.mk ka trajtuar tashmë përdorimin e rrjeteve sociale nga ana e të rinjve në vend. Sipas ekspertëve, depresioni dhe anksioziteti i të rinjve vjen nga keqpërdorimi i rrjeteve sociale.
- LEXO: RMV, edhe dy fëmijë të tjerë të lënduar nga sfida “Superman” e TikTok, një 15-vjeçare ka pësuar frakturë
- LEXO: “TikToku dëmton fëmijët”: Përderisa Shqipëria përgatitet për ndalesë, RMV-ja e la në harresë nismën e tillë
- LEXO: Disa hapa praktikë për luftimin e trendëve të rrezikshëm nga TikTok-u
- LEXO: Qeveria e RMV-së nuk planifikon ta kufizojë përdorimin e TikTok-ut, edhe përkundër lëndimeve që shkaktoi te nxënësit sfida “Superman”