Tre vjet burg për shoferin serb, në kamionin e të cilit vdiqën dy emigrantë kinezë në një aksident trafiku në Vallandovë

Shtetasi serb S. M. (52) është dënuar me tre vjet burg për aksidentin rrugor në të cilin humbën jetën dy migrantë kinezë. Ai e pranoi fajësinë para Gjykatës Themelore në Gjevgjeli, u shpall fajtor dhe nuk u paraqit ankesë kundër vendimit, prandaj ai është i formës së prerë. S. M. kërkoi që ai të dërgohet menjëherë për të vuajtur dënimin me burg, transmeton Portalb.mk.

I pandehuri u dënua për veprën penale Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, sipas nenit 300, paragrafi 4, në lidhje me nenin 297, paragrafi 3 dhe paragrafi 1 të Kodit Penal, i cili parashikon dënim me burg deri në pesë vjet. Meqenëse është shtetas i huaj, çështja u zhvillua me procedurë të përshpejtuar. Ai ka të drejtë të kërkojë të vuajë dënimin në vendin e shtetësisë së tij.

Aksidenti rrugor ndodhi më 19 nëntor rreth orës 4:20 të mëngjesit, kur S. M. ndërsa drejtonte një kamion Mercedes dhe lëvizte përgjatë rrugës rajonale nga Vallandova në Dojran, doli nga rruga dhe u përmbys. Gjysmërimorkioja e kamionit mbante gjithashtu 10 shtetas kinezë. Gjatë përmbysjes, një grua 35-vjeçare dhe një burrë vdiqën, dy persona morën lëndime të rënda dhe dy të tjerë morën lëndime të lehta. Mjeti është në pronësi të një kompanie transporti nga Serbia dhe ishte i ngarkuar me afërsisht 24.5 ton letër të shtypur.

Sipas aktakuzës, i pandehuri nuk i është përmbajtur dispozitave të Ligjit për Sigurinë në Trafikun Rrugor dhe në këtë mënyrë ka rrezikuar trafikun publik, duke vënë në rrezik jetën dhe trupat e njerëzve. Edhe pse ishte i detyruar ta mbante mjetin sa më afër skajit të djathtë të rrugës dhe ta përshtatte lëvizjen e tij me kushtet e rrugës, ai humbi kontrollin dhe kamioni u përmbys në anën e djathtë.

Prokuroria Themelore Publike e Gjevgjelisë thotë se është duke u zhvilluarë hetim dhe po ndërmerren veprime për të shqyrtuar elementët e mundshëm të veprës penale të kontrabandës së migrantëve nga shoferi S. M.

Aksident trafiku rrugor (veturë motor biçikletë bus)GjevgjeliaSerbia