Thesari i Hapur, Regjistri i Pronarëve, disponueshmëria e kontratave të furnizimeve publike, regjistri i funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, dorëzimi elektronik i deklaratave të gjendjes pronësore dhe interesave, disponueshmëria publike e programeve shëndetësore, së bashku me rezultatet e zbatimit të tyre, janë vetëm disa nga angazhimet që janë iniciuar dhe pjesërisht realizuar përmes Partneritetit për Qeverisje të Hapur, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Në këtë proces janë hapur dhe po punohet edhe për dhjetëra angazhime të tjera për rritjen e transparencës së pushtetit ekzekutiv, por edhe të pushtetit legjislativ dhe gjyqësor, në realizimin e të cilave Qeveria dhe institucionet punojnë në partneritet me organizatat e shoqërisë civile.
Maqedonia e Veriut ka qenë pjesë e iniciativës globale të Partneritetit për Qeverisje të Hapur tashmë 15 vjet. Ajo që në vitin 2011 filloi si një iniciativë vullnetare e vetëm tetë shteteve, sot është një platformë ku marrin pjesë mbi 70 vende dhe një numër i madh organizatash të shoqërisë civile. Gjatë kësaj periudhe, Qeveria e Maqedonisë, së bashku me organizatat e shoqërisë civile, punon për sigurimin e transparencës dhe përgjegjshmërisë më të madhe ndaj qytetarëve. Me nënshkrimin e Deklaratës, pushteti ekzekutiv mori obligimin që, së bashku me organizatat e shoqërisë civile, të paktën çdo dy vjet të përgatisë dhe zbatojë plane me angazhime konkrete për promovimin e transparencës, mbështetjen e pjesëmarrjes qytetare, luftën kundër korrupsionit dhe shfrytëzimin e teknologjive të reja në administratën publike dhe më gjerë, si dhe për mbështetjen e inovacionit.
Partneriteti për Qeverisje të Hapur është një nga mekanizmat e rrallë në të cilët ekziston partneritet i barabartë dhe bashkëkrijim i politikave ndërmjet pushtetit dhe shoqërisë civile, me zë të barabartë dhe me përgjegjësi të përbashkët për arritjen e rezultateve. Qëllimi është që pushteti të jetë në përputhje me nevojat e qytetarëve të tij, ndërsa si rezultat i kësaj, gjatë viteve të fundit janë miratuar gjashtë plane veprimi, ndërsa aktualisht është duke u përgatitur i shtati. Planet e veprimit përfshijnë prioritete të ndryshme, si qasja në informacion, integriteti dhe qeverisja e mirë, transparenca fiskale, të dhënat e hapura, transparenca në nivel lokal, si dhe lufta kundër korrupsionit, digjitalizimi, pjesëmarrja qytetare dhe mjedisi jetësor dhe klima.
“Janë institucionet ato që duhet t’i hapin dyert dhe t’i presin qytetarët, t’i dëgjojnë propozimet dhe kritikat e tyre dhe të përshtaten me to. Hulumtimet e viteve 2024 dhe 2025 tregojnë rënie të ndjeshme të besimit të qytetarëve në administratën publike. Është detyrë e të gjithëve, duke përfshirë edhe organizatat e shoqërisë civile, të dëgjojnë nevojat e tyre, t’ua përcjellin ato institucioneve dhe të punojnë për të rivendosur besimin. E gjithë kjo mundësohet nga Partneriteti për Qeverisje të Hapur, ku institucionet ndërgjegjësohen për nevojat e qytetarëve, i pranojnë kritikat dhe zbatojnë reforma, me çka edhe qytetarët do ta rikthejnë besimin dhe do të ndiejnë se kontribuojnë“, thotë Dançe Danillovska-Bajdevska, Drejtoreshë e programeve në Fondacionin Metamorfozis dhe koordinatore e Rrjetit për Partneritet për Qeverisje të Hapur.
Plani i parë i veprimit u miratua në vitin 2012, ndërsa aktualisht po punohet për të shtatin. Deri më tani janë përmbushur angazhimet për Thesarin e Hapur, përmes të cilit të gjithë qytetarët, gazetarët dhe organizatat kanë në çdo kohë qasje në internet në të dhënat për të gjitha pagesat që kryen shteti. Në drejtim të uljes së korrupsionit, vendi ka krijuar edhe një Regjistër funksional të Pronarëve për publikimin e emrave të pronarëve të vërtetë të kompanive. Përmes Partneritetit për Qeverisje të Hapur, pjesërisht janë bërë publike edhe informacionet për kompanitë që kanë lidhur kontrata për furnizime publike, për kontratat e lidhura për koncesione dhe për krijimin e partneriteteve publiko-private, të cilat përbëjnë tri llojet themelore të kontratave publike të institucioneve shtetërore me sektorin privat. Sipas të dhënave në dispozicion, është krijuar një mekanizëm për publikimin e tyre, por nuk janë publikuar të gjitha kontratat; në dhjetor të vitit 2025, në Regjistër ishin regjistruar 67 kontrata, ndërsa përmes Sistemit Elektronik për Furnizime Publike (SEFP) ishin publikuar 8. Në kuadër të Partneritetit, kanë filluar edhe proceset për dorëzimin elektronik të raporteve për financimin e partive politike.
Në raportin e Mekanizmit për Raportim të Pavarur (IRM) theksohet se plani aktual i veprimit 2024–2026 është ambicioz dhe përfshin një spektër të gjerë fushash të politikave në mbështetje të procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, si dhe se është thelbësore që institucionet publike të bashkëpunojnë ngushtë me shoqërinë civile për të arritur rezultate të fuqishme.
Përveç procesit të hapjes së pushtetit ekzekutiv, në vend zbatohen procese të njëjta edhe nga pushteti legjislativ, përmes Parlamentit të Hapur, dhe nga pushteti gjyqësor, përmes Gjyqësorit të Hapur. Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, krahasuar me parlamentet e rajonit, sipas matjes së fundit të vitit 2025, është vlerësuar me 70 nga gjithsej 100 pikë të mundshme për treguesit e hapjes.. Një nga angazhimet e realizuara plotësisht, e iniciuar nga Partneriteti, është informimi i publikut përmes Kanalit të Kuvendit, si dhe Karvani Parlamentar, i cili është një parlament mobil që ofron mundësi për komunikim të drejtpërdrejtë të qytetarëve me përfaqësuesit e tyre të zgjedhur. Këtë vit, Karavani është i fokusuar te të rinjtë dhe qëndrimet e tyre. Në kuadër të Gjyqësorit të Hapur, aktualisht po punohet për përmbushjen e angazhimeve nga Plani i fundit i Veprimit 2024–2026, ndër të cilat përfshihen përmirësimi i portalit elektronik gjyqësor, përmirësimi i marrëdhënieve të gjykatave me publikun dhe të tjera.
Në kuadër të procesit për nxitjen e Partneritetit për Qeverisje të Hapur, dhjetë organizata të shoqërisë civile themeluan Rrjetin e organizatave të shoqërisë civile për Partneritetin për Qeverisje të Hapur (Rrjeti për PQH), i cili sot numëron 43 anëtarë. Përmes Rrjetit, organizatat angazhohen që zëri i qytetarëve të dëgjohet dhe të nxiten autoritetet dhe institucionet që të rrisin transparencën, llogaridhënien dhe pjesëmarrjen e tyre. Koordinatori i Rrjetit është Fondacioni Metamorfozis, ndërsa nëntë organizata janë anëtare të Komitetit Drejtues. Përmes Rrjetit, organizatat, përveç pjesëmarrjes aktive në hartimin e planeve kombëtare të veprimit, monitorojnë edhe zbatimin e tyre.
Përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile, së bashku me përfaqësuesit e Qeverisë dhe institucioneve, si dhe partnerë të tjerë, punojnë edhe në Këshillin për Koordinim dhe Monitorim të procesit të Partneritetit për Qeverisje të Hapur (Këshilli për PQH), i cili ka rol këshillues dhe vendimmarrës në fazat e planifikimit, zhvillimit, zbatimit, monitorimit dhe raportimit për planet e veprimit. Këshilli përbëhet nga 16 anëtarë, me numër të barabartë përfaqësuesish nga institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat monitorojnë në mënyrë aktive zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit aktual për Partneritetin për Qeverisje të Hapur.
Të gjitha informacionet nga puna në fushën e Partneritetit për Qeverisje të Hapur gjatë një dekade e gjysmë të fundit janë pjesë e Portalit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur – ovp.gov.mk. Kjo platformë, e përgatitur nga Fondacioni Metamorfozis në kuadër të Projektit për Pjesëmarrje Qytetare, përdoret për informim, konsultim, monitorim dhe shkëmbim të njohurive, por edhe si kanal për komunikim të drejtpërdrejtë ndërmjet të gjitha palëve të interesuara që punojnë në fushën e qeverisjes së hapur.
Teksti është përgatitur në kuadër të projektit “Së bashku për Partneritetin për Qeverisje të Hapur: Mbështetje për procesin e zbatimit dhe hartimin e së ardhmes”, i financuar nga Sekretariati për Partneritet për Qeverisje të Hapur.