Tragjedia në Koçan, 20 pacientë në gjendje kritike, ka gjasa të dërgohen për mjekim jashtë Maqedonisë

Njëzet nga pacientët më të lënduar nga zjarri në diskotekën e Koçanit në RMV, ka gjasa të transferohen për trajtim jashtë vendit, tha sot ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, pas vizitës në Spitalin klinik në Shtip.

Sipas tij, pacientët do të transportohen për trajtim në Bullgari, Turqi, Greqi dhe Beograd, ndërsa trajtimi është ofruar edhe nga Shqipëria dhe Holanda.

“Sipas anesteziologëve tanë, 18 deri në 20 pacientë do të duhet të transportohen jashtë vendit për trajtim të mëtejshëm për rastet më kritike. “Ia lashë ekipit të anesteziologëve të përcaktojë se ku mendojnë se do të ishte më mirë për trajtimin e mëtejshëm për pacientët më kritikë”, tha ministri.

Në Spitalin e Shtipit janë shtruar 39 të mitur, të cilët, siç tha Taravari janë në gjendje relativisht të mirë. Në përgjithësi kanë pasur djegie, por disa kanë pasur edhe fraktura.

“Nëse ka nevojë për transferim në Qendrën Klinike – Shkup, ne do të intervenojmë”, theksoi ministri.

Në Spitalin e Koçanit ka 30 pacientë, 31 në Qendrën Klinike në Shkup, 28 në Kirurgjinë e qytetit dhe 24 në “8 Shtatori”. Shumica e të shtruarve në spital, theksoi ai, janë shumë të rinj.

Sipas Taravarit, spitalet kanë mjete mjekësore, pajisje dhe ilaçe dhe pacientëve u jepet gjithçka që u nevojitet, si dhe kanë sasi të mjaftueshme të derivateve të gjakut.

Në zjarrin që shpërtheu mëngjesin e 16 marsit në diskotekën ‘Pulse’ në Koçan të Maqedonisë së Veriut, 59 persona kanë vdekur ndërsa mbi 150 janë plagosur.

Sipas informacioneve të para, zjarri ka shpërthyer për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike që ishin përdorur për efektet vizuale gjatë koncertit. Viktimat janë të rinj nga mosha 14 deri në 24 vjeç. Një ekip prej gjashtë prokurorësh ka filluar hetimet. Ka 20 të dyshuar, dhe një pjesë nga të janë arrestuar. Ekipet e Kryqit të Kuq dhe institucionet tjera po ofrojnë ndihmë për familjarët e të lënduarve që presin para spitaleve. Ndihmë kanë ofruar edhe nga vendet fqinje dhe BE-ja.

LEXO MË SHUMË NË:

Tragjedi në Koçan: 59 të vdekur dhe mbi 150 të lënduar nga zjarri në një diskotekë, viktimat janë të rinj

Arben TaravariZjarri në diskotekën në Koçan