Një ditë pas vendimit të shkallës së parë në Hagë, që dënoi me gjithsej 81 vite burg katër ish-krerët e UÇK-së, ka reaguar Hashim Thaçi, përmes një postimi të publikuar nga avokati i tij kryesor në rrjetin social X, raporton Euronews.
Në postimin e avokatit të tij, bëhet e ditur se Thaçi shpreh mirënjohjen për mbështetjen që ai, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë marrë nga populli i Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar. Ai gjithashtu u bën thirrje qytetarëve të Kosovës të mbeten paqësorë në përgjigje të vendimit.
Mbrojtja e Thaçit ka bërë të ditur se do ta apelojë aktgjykimin e shkallës së parë pranë Panelit të Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke pretenduar se në vendim ka pasur “gabime të rëndësishme në ligj dhe në fakte”, të cilat, sipas saj, kanë cenuar drejtësinë e procesit gjyqësor.
Sipas mbrojtjes, gjatë gjithë gjykimit janë ngritur shqetësime lidhur me drejtësinë procedurale, veçanërisht për shtrirjen e pyetjeve të bëra drejtpërdrejt nga anëtarët e Panelit të Gjykimit. Avokatët pretendojnë se mënyra e ndërhyrjeve gjyqësore “nuk krijonte përshtypjen e paanshmërisë” dhe se ato kanë tejkaluar kufirin e kërkimit neutral të së vërtetës.
Mbrojtja pretendon gjithashtu se gjetjet e Panelit të Gjykimit për fajësinë përtej dyshimit të arsyeshëm janë mbështetur në prova të pamjaftueshme dhe të pakonfirmuara.