Ja ku e keni numrin e ofiqarit. Kërkojeni, vjen në restorant, atij ia dërgoni letrat e njoftimit, për çmimin do merreni vesh. Këshilla e këtillë e publikuar në një forum online në Maqedoni ishte vetëm gjurma e parë që e inicioi hulumtimin e Slloboden Peçat për rrjetin kriminal të infiltruar thellë në Drejtorinë për Udhëheqjen e Librave Amë (DULA). Hulumtimi zbuloi një skemë të përpunuar në të cilën nëpunësit civilë – ofiqarët, për përfitime personale materiale, bëjnë “kurorëzime ilegale” në hotelet dhe restorantet e Shkupit, duke e dëmtuar buxhetin e shtetit, në ndërkohë që i mbushin xhepat e tyre, transmeton Portalb.mk.
Slloboden Peçat dëgjoi një bisedë telefonike që inkriminon drejtpërdrejt një nga ofiqarët. Në një bisedë telefonike me një nuse të ardhshme e cila kërkon termin për regjistrim në një restorant në tetor të këtij viti, ai i ofron hapur që ta anashkalojë sistemin dhe të paguajë “me para në dorë”. Identiteti i nuses së ardhshme është i njohur për redaksinë tonë. Ajo në fakt informoi se nga Drejtoria, ku këtë muaj ka dorëzuar kërkesë ligjore për të lidhur martesë në një restorant në muajin shtator, i janë përgjigjur se të gjitha terminet janë të zëna dhe se kanë mbetur vetëm dy termine, të cilat asaj nuk i përshtaten. Në të njëjtën kohë një i afërmi i saj ka kontaktuar drejtpërdrejt me një ofiqar, e cili i ka thënë se kanë mbetur vetëm dy termine dhe nëse nuk e rezervojnë njërin nga këto dy termine, ditën e dasmës do të mbeten pa ofiqar.Kështu që ajo ka filluar të dyshojë se po krijohej një deficit artificial i termineve dhe se mund të kishte diçka shumë më të thellë pas këtij deficiti.
Në fakt, ajo i telefonoi ofiqarit, numri i telefonit i të cilit ishte publikuar në forumin online, në praninë e redaksisë.
Në bisedë, ofiqari, identiteti i të cilit është i njohur për redaksinë, si dhe është i njohur edhe për drejtorin e Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amë (DULA), Faton Fazliu (sepse ky drejtor i ka dhënë autorizim ofiqarit në fjalë për të bërë kurorëzime) – e pyet burimin se nga e ka marrë numrin, për çka ajo i përgjigjet se ia kanë rekomanduar një çift nga një kurorëzim i kryer më parë në të njëjtën mënyrë.
Sipas informacioneve ky ofiqar vitin e kaluar të paktën dy herë, në maj dhe shtator, ka bërë kurorëzime në dy restorante elitare, pa pasur për këtë një vendim nga drejtori për të shkuar në terren dhe pa arkëtuar pagesë prej 10.484 denarë në llogarinë e DULA-s.
Gjatë bisedës telefonike ofiqari e shqyrtoi orarin e tij për datën konkrete, siç e tha ai, “tefterin e tij”. Atje ai vuri re se tashmë kishte planifikuar një dasmë për në orën 18:00, kështu që e refuzoi nusen e cila dëshironte termin për në orën 18:15. Ai e shtyu terminin për në orën 18:30 në mënyrë që të mund të mbërrinte në kohë me librin amë tashmë të nxjerrë me të cilin do të shkonte në dasmën e parë, në restorantin tjetër në anën tjetër të qytetit te “tezga” e tij e parë.
Në pyetjen e nuses së ardhshme nëse duhej të shkonte në Drejtorinë për Udhëheqjen e Librave Amë që të dorëzojë një kërkesë zyrtare për kurorëzim në një restorant, ai i tha:
“Nëse shkoni në DULA për të bërë kërkesë, prishet puna, më falni po atje do i hidhni 11 mijë denarë. Më dërgoni fotokopje të letrave të njoftimit në WhatsApp, unë do i bëj të gjitha.”
Kur u pyet për çmimin, biseda telefonike zbuloi një shkujdesje të paparë.
Nusja: Më intereson çmimi.
Ofiqari: Mua më japin pesë.
Nusja: Në rregull, sepse ky është çmimi nga viti i kaluar i asaj martese që keni lidhur, thashë se mos kishte ndonjë ndryshim.
Ofiqari: Nuk ka ndryshim.
Udhëzimet janë të thjeshta: në vend të zyrës zyrtare në objektin e “Nova Makedonija”, procedura zhvillohet nëpërmjet mesazheve private.
Rregullorja ligjore për lidhjen e kurorës jashtë mjediseve zyrtare është e qartë. Procedura kërkon dorëzimin e një kërkese zyrtare në DULA, kryerjen e pagesës prej 10.500 denarësh direkt në llogarinë e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, lëshimin e një vendimi me shkrim nga drejtori i DULA-s me të cilin e autorizon ofiqarin konkret të dalë në terren në një termin të përcaktuar saktë në një lokacion të caktuar. Për këtë angazhim ofiqari ligjërisht merr kompensim për tre orë punë jashtë orarit (ekuivalente me 300 deri në 600 denarë).
Kompensimet kaq të ulëta prej 300 deri në 600 denarë e stimulojnë krimin në Drejtori. Ofiqarët me të cilët bisedoi “Slloboden Peçat” thanë se për vitin 2025 ata ende nuk janë paguar për mbi 50 kurorëzime që i kanë lidhur ligjërisht, sepse ligji nuk e lejon drejtorin Faton Fazliu të paguajë më shumë se 32 orë jashtë orarit në një muaj. Kështu, brenda një muaji, një ofiqar mund të lidhë vetëm 10 kurorëzime në restorant, sepse për një gjë të tillë ai merr para ekuivalente me tre orë pune jashtë orarit. Të gjitha kurorëzimet e kryera përtej këtij numri – ofiqarëve nuk u janë paguar!
“Për këtë shkak askush nuk dëshiron të shkojë të lidhë kurorë për 300-600 denarë. Për aq para nuk mund t’i rregulloj as flokët”, tha një ofiqar.
Kështu, që ta anashkalojnë këtë procedurë, disa ofiqarë kanë formuar “tregun e tyre paralel”. Ata, me vetiniciativë, pa vendim nga drejtori, i nxjerrin librat amë nga institucioni.
Në vend që shteti ta arkëtojë tarifën e caktuar prej 10.500 denarësh, ofiqari fut 5.000 denarë direkt në xhepin e tij, ndërsa disa prej tyre edhe më shumë. “Slloboden Peçat” kontaktoi çifte të sapomartuar që kanë lidhur kurorë në këtë mënyrë, ndërsa disa prej tyre nuk e kanë kuptuar fare se procedura duhet të jetë ndryshe, përkundrazi, ata besonin se meqenëse ofiqari vjen në terren me librin zyrtar, ai duhet ta “bëjë vetë pagesën”.
Çmimorja për shërbimet e lidhjes së kurorës jashtë mjediseve zyrtare të DULA.
| Emri i shërbimit | Taksa administrative | Tarifa |
| Në ditë pune dhe brenda orarit të punës, deri në 10 km distancë | 50,00 denarë | 4.765,00 denarë |
| Në ditë pune pas orës 16:30, deri në 10 km distancë | 50,00 denarë | 5.242,00 denarë |
| Në ditë pushimi, e shtunë dhe e diel dhe festa shtetërore, deri në 10 km distancë | 50,00 denarë | 10.484,00 denarë |
| Për pikat 1, 2 dhe 3 të kësaj çmimoreje nëse distanca nga njësia amë deri në lokacionin ku bëhet kurorëzimi është mbi 10 km | 50,00 denarë | Tarifa rritet për 100% |
Raporti i revizorëve tregon se ka abuzim masiv në Drejtorinë për Udhëheqjen e Librave Amë
Enti Shtetëror i Revizionit në vitin 2019 konstatoi se në Drejtorinë për Udhëheqjen e Librave Amë ka një vrimë të zezë në të ardhurat që ajo i gjeneron – ata lëshojnë më shumë certifikata dhe kryejnë më shumë shërbime sesa që arkëtojnë. Paratë nuk janë në buxhet, por a janë në xhepat e punonjësve?
“Në llogarinë e Drejtorisë janë derdhur më pak fonde në bazë të certifikatave të lëshuara, në shumën prej 901 mijë denarësh”, thuhet në raportin e revizorëve.
Ata shtojnë edhe se Drejtoria duhet të kryejë kontrolle të rregullta lidhur me kërkesat e realizuara në bazë të formularëve të arkëtueshëm, nga komisione të formuara nga drejtori, e të cilat do të nënshkruajnë një procesverbal pas kryerjes së kontrollit.
“Gjatë vitit 2019 është kryer kontroll vetëm në një njësi rajonale. Mungesa e kontrolleve të rregullta në punën e njësive të Drejtorisë krijon rrezik për parregullsi në lëshimin e certifikatave dhe ndikon në lëshimin në kohë dhe me cilësi të lartë të certifikatave”, ka konstatuar revizori.
Më tej në raportin e revizorëve është theksuar edhe një element kyç për temën e hulumtimit tonë:
“Në dëshmitë për pagesat e kryera të kompensimit (fletëpagesa ose slipi nga pagesa e kryer përmes terminalit POS) nuk është shënuar numri i kërkesës me qëllim të lidhjes së çdo kërkesë të parashtruar me pagesën e të hyrave në llogarinë e Drejtorisë. Gjithashtu, fletëpagesat dhe slipet për pagesën e kryer nuk shlyhen. Te 5% e kërkesave nuk ka të bashkëngjitur dëshmi se është kryer pagesa e kompensimit”.
Situatat e lartpërmendura shkaktojnë veprime të ndryshme të punonjësve gjatë lëshimit të certifikatave dhe ndikojnë në punën efikase të Drejtorisë si dhe në arkëtimin e plotë të të hyrave nga certifikatat e lëshuara.
A janë të vlefshme martesat e lidhura në këtë mënyrë?!
Avokatja Neda Çallovska thotë se është e shokuar nga hulumtimi . E pyetur nëse martesat e lidhura në këtë mënyrë janë të vlefshme, ajo na tha se edhe pse ka një gabim të madh procedural, sipas saj martesat e lidhura edhe pa pagesë në llogarinë e DULA-s janë të vlefshme.
“U shokova. Jam e mendimit se martesa e lidhur në këtë mënyrë është e vlefshme sepse janë plotësuar elementet bazë për lidhjen e martesës: ka vullnet nga të dyja palët, ka nënshkrim në librin amë të kurorëzimeve dhe lëshohet një certifikatë nga libri amë i të kurorëzuarve. Mirëpo, nëse paraprakisht nuk është dorëzuar një kërkesë dhe bëhen kurorëzime të tilla, kjo paraqet një lëshim të rëndë procedural dhe në raste të tilla, posaçërisht vihet në pikëpyetje se si veprohet me të dhënat personale të njerëzve, me qenë se në atë moment ofiqarët nuk kanë miratim nga organi që zyrtarisht duhet të disponojë me të dhënat personale, gjegjësisht DULA. Nëse kjo ndodh, ka keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare”, tha Çallovska.
Slloboden Peçat dorëzoi pyetje edhe te drejtori Faton Fazliu, por siç raportuan, ai nuk u përgjigj.