Tetovë, u formua Këshilli për Parandalim e Delikuencës së Fëmijëve, kryetarja Ahmedi: Do të jetë funksional (Video)

Në drejtim të parandalimit të sjelljeve devijante të fëmijëve në Komunën e Tetovës, sot u mbajt seanca e parë konstituive e Këshillit Lokal për Parandalimin e Delikuencës te të Miturit, ku kryetare u zgjodh profesoresha Blerta Ahmedi. Ajo tha se ky këshill nuk do të jetë vetëm formal por edhe funksional, shkruan Portalb.mk.

Ky këshill komunal është obligim ligjor sipas Ligjit për drejtësinë e fëmijëve i cili duhet të themelohet në të gjitha komunat në vend.

Kryetari i Këshillit Komunal të Tetovës, Besar Durmishi tha se në këtë seancë u emëruan anëtarët e rinj dhe Blerta Ahmedi u zgjodh kryetare e këtij Këshilli, si dhe u miratua rregullorja e punës së këtij këshilli.

“Në këtë këshill ka përfaqësues nga institucione të ndryshme, nga Sektori për Punë të Brendshme, nga Qendra për Punë Sociale, nga Këshilli i prindërve të shkollave fillore, të shkollave të mesme, nga Sindikata e Nxënësve të shkollave të mesme, nga Oda e Avokatëve, nga Prokuroria, nga Këshilli i Komunës së Tetovës, ku më në fund u formalizua”, tha Durmishi.

Ky këshill ka gjithsej 17 anëtarë nga institucione të ndryshme.

Blerta Ahmedi dhe Besar Durmishi. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kryetarja e këtij këshilli të sapoformuar, profesoresha universitare e juridikut në UEJL, Blerta Ahmedi tha se vetë përbërja e këtij këshilli tregon që ky këshill nuk do të jetë vetëm i formuar por do të jetë gjithashtu edhe funksional.

“Në seancat e radhës kemi në plan që menjëherë të vazhdojmë me aprovimin e të gjithë propozimeve të anëtarëve për të miratuar programin e punës dhe për të ndërmarrë aktivitete me karakter preventiv ndaj fenomenit të kriminalitetit të të rinjve në Komunën e Tetovës”, tha Ahmedi e cila theksoi se kjo duhet të vlejë si shembull për komunat tjera të cilat duhet të plotësojnë këtë obligim ligjor.

Sipas profesoreshës, kohën e fundit ka rritje të kriminalitetit të të rinjve, qoftë të fëmijëve në konflikt me ligjin por edhe të fëmijëve si viktima. Ajo tha se ky këshill do jetë me karakter parandalues. Ahmedi sqaroi se nga viti 2020 shihet tendenca e rritjes së kriminalitetit të fëmijëve në vendin tonë dhe kjo dëshmohet nga rastet që dëgjohen çdo ditë.

E pyetur nga Portalb.mk se a kanë paraparë aktivitete në lidhje me sjelljet devijante te të rinjtë të nxitura nga rrjetet sociale, kryesisht nga TikTok, Ahmedi tha se do punojnë për rritje të vetëdijes.

“Kemi paraparë të rritim vetëdijesimin e të rinjve në mënyrën e përdorimit të rrjeteve të ndryshme sociale, duke marrë parasysh se ne nuk kemi kompetenca për të kufizuar qasjen e të rinjve në këto rrjete, të paktën ti vetëdijësojmë si ti përdorin ato në mënyrë kualitative, dhe të ju tregojmë se si nuk do duhej të njëjtat të përdoren”, tha Ahmedi.

Këshilli i Komunës së Tetovës, me 30 janar miratoi vendimin për themelimin e Këshillit komunal për parandalimin e delikuencës së fëmijëve në këtë komunë.

Vetëm vitin e kaluar (2022) në rajonin e Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë janë evidentuar 70 vepra penale në të cilat në mënyrë direkte apo indirekte janë përfshirë 89 të mitur.

Në Maqedoninë e Veriut edhe pse sipas Ligjit për drejtësinë e fëmijëve, komunat detyrohen të themelojnë këshilla komunal për parandalimin e delikuencës së fëmijëve, në praktikë kjo çalon, sipas një hulumtimi të Portalb.mk të bërë në muajin shkurt të këtij viti, nga gjithsej 81 komuna në vend vetëm 33 kishin themeluar të njëjtin. Për këtë shkelje, sipas institucioneve kompetente deri më tani nuk është dënuar asnjë komunë. Ekspertët kanë konstatuar se autoritetet në vend nuk bëjnë mjaftueshëm në drejtim të parandalimit të delikuencës së fëmijëve.

Besar DurmishiFëmija/ëKëshilli KomunalKomuna e TetovësSPB TetovëTë drejtat e fëmijëveTetova
Comments (0)
Add Comment