Sonte, 15 maj, në skenën e Qendrës së Kulturës “Iljo Anteski-Smok” në Tetovë, me fillim në ora 20:00, këngëtari i mirënjohur Mahmut Ferati do të mbajë koncertin e tij jubilar “Jeho kënga ime!”, një ngjarje që shënon dekada krijimtarie dhe përkushtimi ndaj muzikës burimore shqiptare, shkruan Portalb.mk.
Koncerti realizohet në bashkëpunim me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në RMV, i cili do t’i japë mbrëmjes një dimension të veçantë kulturor dhe artistik.
Jetmir Rexhepi, drejtor i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në RMV për Portalb.mk tha se pjesëmarrja në këtë koncert do të jetë e madhe duke e pasur parasysh respektin për kontributin shumëvjeçar të Mahmut Feratit në ruajtjen dhe promovimin e muzikës burimore shqiptare.
“Bëhet fjalë për një artist që për dekada ka mbajtur gjallë frymën autentike të këngës shqipe. Për ne është nder dhe përgjegjësi që, përmes këtij bashkëpunimi, të sjellim në skenë vlerat tona tradicionale dhe artistike, duke krijuar një urë mes brezave dhe duke i dhënë publikut emocione të veçanta”, u shpreh Rexhepi.
Ai theksoi se artistë si Mahmut Ferati janë ambasadorë të kulturës shqiptare dhe meritojnë mbështetje institucionale e shoqërore.
“Artistë si Mahmut Ferati janë ambasadorë të kulturës shqiptare dhe meritojnë respekt institucional e shoqëror. Përkrahja ndaj tyre është njëkohësisht investim në trashëgiminë tonë kulturore dhe motivim për brezat e rinj që të vazhdojnë ta kultivojnë artin shqiptar”, shtoi ai.
Rexhpi paralajmëroi se publiku do të përjetojë një program dinjitoz, me muzikë, valle dhe emocione të fuqishme.
“Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në RMV do të sjellë në skenë frymën autentike të folklorit shqiptar përmes muzikës, valleve dhe orkestracionit profesional, duke e bërë koncertin ‘Jeho kënga ime!’ një natë të paharrueshme për të gjithë adhuruesit e muzikës shqipe”, ai.
E ftuar speciale në koncert do të jetë këngëtarja Shyhrete Behluli, e cila për Portalb.mk u shpreh e nderuar që do të jetë pjesë e kësaj nate jubilare. Ajo tha se me Mahmut Feratin e lidh një bashkëpunim i gjatë artistik, i ndërtuar mbi duete, koncerte dhe momente të shumta muzikore.
“Me Mahmutin na lidh një bashkëpunim shumëvjeçar. Kemi realizuar shumë duete dhe kemi ndarë shumë momente të bukura artistike. Besoj se edhe atë natë do t’i sjellim publikut të njëjtat emocione që i kemi përcjellë ndër vite”, tha Behluli.
Sipas saj, një koncert jubilar bart emocion të veçantë dhe përgjegjësi artistike.
“Nuk është e lehtë të përmbledhësh një karrierë të tërë në një koncert të vetëm. Duhet zgjedhur një repertor i veçantë, këngë që kanë peshë dhe që ia vlen të jenë pjesë e asaj nate. Por jam e bindur se do të jetë një mbrëmje shumë e bukur, me shumë kujtime, emocion dhe këngë që publiku i do”, shtoi ajo.
Këngëtari Shaqir Cërvadiku, në një deklaratë për Portalb.mk, tha se Mahmut Feratin nuk e ka vetëm koleg të skenës, por mik të jetës, me të cilin e lidhin dekada bashkëpunimi, respekti dhe kujtimesh të paharrueshme.
“Me Mahmutin njihemi që nga vitet e ’80-ta. Në atë kohë ai, së bashku me Milaim Mezinin, u paraqit në Festivalin e Folklorit Burimor në Drenas, ku bënë një befasi të këndshme për publikun dhe artdashësit. Pikërisht aty u njohëm për herë të parë dhe që nga ajo ditë filloi një rrugëtim i bukur bashkëpunimi, i cili ka vazhduar deri sot”, tha Cërvadiku.
Ai theksoi se gjatë këtyre viteve me Feratin ka ndarë skena, këngë, dasma, koncerte e ahengje të shumta, duke realizuar edhe bashkëpunime e hite të dashura për publikun.
“Ajo që e bën të veçantë raportin tonë është se mes nesh nuk ka pasur asnjëherë as pesë minuta hidhërim. Gjithmonë kemi pasur mirëkuptim, tolerancë, respekt të ndërsjellë dhe një miqësi të shëndoshë. Me Mahmutin nuk më lidh vetëm muzika, por një histori e gjatë njerëzore dhe shumë kujtime që nuk harrohen”, u shpreh ai.
Cërvadiku kujtoi edhe bashkëpunimet me Mahmut Feratin, Milaim Mezinin, Baki Bakiun dhe Avdulla Dullovin, duke i cilësuar si pjesë të bukur të jetës së tij artistike. Ai tha se duetet me Feratin, qofshin këngë serioze, gurbeti apo malli, kanë lënë gjurmë te publiku shqiptar.
Duke folur për koncertin jubilar të Mahmut Feratit, i cili mbahet në Tetovë me rastin e 50-vjetorit të karrierës, Cërvadiku ftoi artdashësit të jenë pjesë e kësaj nate të veçantë.
“I uroj Mahmut Feratit edhe shumë vite karrierë, shumë këngë të bukura, hite dhe suksese të pandalshme. Uroj që krijimtaria e tij të shtohet edhe më shumë dhe zëri i tij të vazhdojë të mbetet pjesë e rëndësishme e muzikës sonë”, tha Cërvadiku.
Këngëtari Mahmut Ferati për Portalb.mk tha se ky koncert është një rikapitulim i rrugëtimit të tij artistik dhe një dëshmi e këngëve, bashkëpunimeve dhe arritjeve që e kanë shoqëruar gjatë karrierës.
“Koncerti jubilar është një koncert që përmbledh gjithë karrierën time artistike, të gjitha arritjet që i kam bërë përmes këngës dhe repertorit tim. Përmes këtij koncerti dua të bëj një rikapitulim të rrugëtimit tim muzikor, duke përfshirë këngë nga epoka dhe periudha të ndryshme”, tha Ferati.
Ai theksoi se repertori do të përfshijë këngë nga periudha të ndryshme, bashkëpunime me emra të njohur të muzikës shqiptare dhe këngë të dashura për publikun.
“Në repertorin tim ka këngë lirike, këngë patriotike, këngë për gurbetin, balada, këngë rinore, ritmike, këngë dasmash e shumë të tjera. Të gjitha këto përbëjnë një etapë të rëndësishme të koncertit tim jubilar dhe të rrugëtimit tim si këngëtar”, u shpreh ai.
Ferati tha se dëshiron që kjo mbrëmje të mbetet si kujtim për publikun dhe si dëshmi e trashëgimisë së tij muzikore.
“Vitet kalojnë dhe mund të vijë një kohë kur ndoshta nuk do të kem më mundësi të këndoj si më parë. Prandaj dua që ky koncert të mbetet si një historik i Mahmut Feratit, si një dëshmi e rrugës sime artistike dhe e këngëve që më kanë shoqëruar gjatë gjithë karrierës”, tha Ferati.
Mbrëmjen do ta pasurojnë edhe mysafirë specialë, emra të njohur të muzikës shqiptare: Shyhrete Behluli, Shaqir Cërvadiku, Elita 5 dhe Milaim Mezini.