Tetova shënoi 56 vjetorin e Demonstratave të 1968, u promovua Muzeu i Mehmet Gegës

Mbrëmë në hapësirat e ish Radio Tetovës u bë promovimi i “Muzeut të Mehmet Gegës” nga profesor Arsim Sinani, transmeton Portalb.mk.

Elma Sherifi përgjegjëse për kulturë në Komunën e Tetovës për Portalb.mk tha se Mehmet Gega ishte një nga figurat më të shquara të Tetovës, një mësues dhe aktivist që luftoi për të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi.

“Në 55 vjetorin e demonstratave të Tetovës lindi dhe ideja për krijimin e muzeut të njeriut i cili sakrifikoi për qytetin e tij. Në këtë Muze do të shpalosen gjësendet e tij personale si dokumente të ndryshme dhe fotografi. E veçantë do të jetë biçikleta e tij dhe ora “qystek”. Me kohën ky muze do të pasurohet edhe me gjësende të tjera”, tha Sherifi.

Pamje nga “Muzeu i Mehmet Gegës”. Foto: Elma Sherifi

Sherifi shtoi se Komuna e Tetovës do jetë përkrahëse për figurat historike.

“Muzeu do të jetë i qasshëm me orar për të gjithë qytetarët. Komuna e Tetovës do të jetë gjithnjë e hapur dhe përkrahëse kur bëhet fjalë për figura historike dhe për çdo iniciativë kulturore”, tha Sherifi.

Qëndresa dhe optimizmi i tij i kishin rrënjët e thella: Periudha e Skënderbeut, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Pavarësia e Shqipërisë, idealet e rilindasëve dhe kontributi i mësuesve të ardhur nga Shqipëria, ishin gurra të pashtershme që e kishin ushqyer idealin e tij atdhetar dhe e kishin bërë të qëndrojë i patundur deri në frymën e fundit.

Pamje nga “Muzeu i Mehmet Gegës”. Foto: Elma Sherifi

Të rrallë janë atdhetarët siç ishte Mehmet Gega, i cili kurrë nuk u pajtua me copëtimin e tokave shqiptare në copëra administrative dhe punën e partive politike, e shihte me mjaft rezervë sepse ai për ndryshim nga platformat politike atdheun e deshi të tërë dhe asnjëherë nuk e identifikoi me “hisen” e pushtetit që në emër të pluralizmit ua jepnin të tjerët, andaj porosia jetike e Mehmet Gegës është e skalitur në gurvarrin e tij që në vend të epitafit flasin viset shqiptare, ku frymohet shqip, jetohet dhe flitet shqip. Amaneti i fundit i tij lënë shqiptarëve është: “Ta bëni sa më të mirë Shqipërinë”.

Pamje nga “Muzeu i Mehmet Gegës”. Foto: Elma Sherifi
Kultura shqiptareKulturë lajmeMuzeu