Pas një ndërprerjeje 14-vjeçare, sot, më 3 shtator, në Tiranë rikthehet Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar, me edicionin e tij të 14-të. Për dhjetë ditë, deri më 12 shtator, kryeqyteti shqiptar do të shndërrohet në një nga qendrat kryesore të jetës kulturore, duke bashkuar kineastë, aktorë dhe dashamirës të filmit, transmeton Portalb.mk.
Programi nis në orën 10:00 me një konferencë për media në Universitetin e Arteve, ku do të prezantohen risitë, aktivitetet dhe programi i plotë i festivalit. Në mbrëmje, në sheshin e Universitetit të Arteve, do të mbahet ceremonia zyrtare e hapjes, e cila do të mbledhë emra të njohur të kinemasë shqiptare nga vendi dhe diaspora.
Një nga momentet kryesore të mbrëmjes do të jetë ndarja e Çmimeve të Karrierës për 16 figura që kanë lënë gjurmë në historinë e filmit shqiptar. Do të nderohen Esat Musliu, Petrit Beci, Pëllumb Kulla, Reshat Arbana, Robert Ndrenika, Robert Radoja, Roza Anagnosti, Saimir Kumbaro dhe Tinka Kurti, ndërsa homazhe do t’u kushtohen Birçe Haskos, Ibrahim Muçajt, Kristaq Mitros, Margarita Xhepës, Piro Milkanit, Xhanfise Kekos dhe Xhevdet Ferit.
Pas ceremonisë së hapjes do të shfaqet filmi “Liqeni Im”, si homazh për regjisorin e ndjerë Gjergj Xhuvani.
Gjatë dhjetë ditëve të festivalit do të prezantohen mbi 100 filma shqiptarë të realizuar nga viti 2013 e deri më sot. Projeksionet do të zhvillohen çdo ditë, nga ora 10:00 deri në 23:00, në Universitetin e Arteve, Kinema Agimi, Piramidën e Tiranës dhe Film Zone në sheshin “Nënë Tereza”.
Nga 4 deri më 11 shtator, hyrja për publikun do të jetë falas për të gjitha shfaqjet.
Festivali do të përmbyllet me mbrëmjen gala të çmimeve, ku do të ndahen gjithsej 31 çmime në tri kategori: nga Juria e Ekspertëve, Akademia e Festivalit dhe vota e publikut.
Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar e nisi historinë e tij në vitin 1976. Rikthimi i tij pas 14 vitesh synon jo vetëm të sjellë sërish pranë publikut prodhimet më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare, por edhe të krijojë një hapësirë të re për brezat e rinj të kineastëve dhe për të ardhmen e filmit shqiptar.