Tetova, qyteti pa asnjë shteg biçikletash do të mirëpresë garat e çiklizmit

Pavarësisht se qyteti ende nuk ka shtigje për biçikleta, Tetova më 6 shtator do të mirëpresë garat e çiklizmit, transmeton Portalb.mk.

Për këtë njoftoi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami i cili tha se sot u takua me kryetarin e Federatës së Çiklizmit të Maqedonisë së Veriut, Emil Cvetanov, dhe kryetarin e Klubit të Çiklizmit “Phoenix Cycling Team”, Senad Idrizi.

“Biseduam për përgatitjet e Kampionatit Shtetëror në Ngjitje Malore dhe të garës ndërkombëtare të çiklizmit, të cilat do të mbahen më 6 shtator 2026 në Tetovë”, tha Kasami.

Ai tha se për herë të parë, Komuna e Tetovës dhe Federata e Çiklizmit e Maqedonisë së Veriut po e sjellin këtë ngjarje të madhe sportive në qytet.

Pavarësisht paralajmërimeve, në Tetovë ende nuk ka shtigje biçikletash. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka deklaruar në mandatin e kaluar se nuk është e rëndësishme nëse kjo do të bëhej deri në përfundim të mandatit, por me rëndësi është që zgjidhja të jetë e qëndrueshme.

Ndërsa në qershor 2026Kasami paralajmëroi janë duke përgatitur projekt për shteg për biçikletat dhe trotinetët elektrikë, por nuk dha detaje se kur kjo do të realizohet në terren. 

Kujtojmë që në Tetovë në vitin 2021 u ndërtua shtegu i biçikletave përgjatë bulevardit “Ilinden” nga udhëheqësia e atëhershme e kryesuar nga Teuta Arifi

Ky projekt pati shumë kritika për mënyrën e realizimit. Ndërkaq, me të ardhur në krye të Komunës, kryetari aktual Bilall Kasami e largoi këtë shteg në nëntor 2021 me arsyetimin se ka keqpërdorime në projekt. Ai në janar 2022 dorëzoi edhe padi në Prokurori kundër Arifit.

Largimi i shtegut për biçikleta nxiti reagime të shumta në opinion se nuk duhej të largohej, madje edhe disa nga këshilltarët komunal e vlerësuan si të ngutshëm këtë veprim të Kasamit. 

Ndërtimi i shtigjeve të biçikletave pati kritika të shumta nga qytetarët se të njëjtat do të vështirësonin më shumë komunikacionin në Tetovë. Bëhej fjalë për gjithsej 5.5 kilometër shteg për biçikleta në rrugën e “Ilindenit”, i cili ishte i gjerë 1 metër kurse pati kushtuar 3 milion denarë apo rreth 50.000 euro. 

Pas largimit të shtegut të biçikletave në vitin 2021, që atëherë nuk është ndërtuar asnjë shteg i ri.

BicikletaBilall KasamiKomuna e TetovësSport RMVTetova