Tetova vazhdon të jetojë atmosferën e manifestimit veror “Tetova n’festë 2026”, i cili deri do të zhjasë deri më 4 gusht, shkruan Portalb.mk.
Sonte, më 28 korrik, programi vazhdon në rrugën “Boris Kidriç”, ku do të performojnë 2TON, Nora Istrefi, Majk, Emrah Brah, Blleki dhe DJ Bata.
Programi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me koncerte, net rinore, gara sportive, turne futbolli e basketbolli, karate, bilardo, crossfit, water polo, ekspozita, panele diskutimi, kinema të hapur, aktivitete për fëmijë dhe mbrëmje folklorike.
Sipas Komunës së Tetovës, edicioni i sivjetëm është më i pasuri i organizuar deri më tani, me fokus jo vetëm te koncertet, por edhe te promovimi i sportit, kulturës, filmit, folklorit dhe artistëve vendorë, me synimin që çdo ditë e manifestimit të sjellë një përjetim të ri për qytetarët dhe vizitorët.
Manifestimi “Tetova n’festë 2026” do të mbyllet më 4 gusht me turneun tradicional të basketbollit rrugor “Street Basket”, duke përmbyllur më shumë se tri javë aktivitete që e kanë kthyer Tetovën në epiqendrën e verës kulturore në vend.
Vera Tetovare filloi më 11 korrik, këtë vit janë planifikuar mbi 40 aktivitete të ndryshme për të gjitha grupmoshat.