Tetë muaj burg për personin që dogji automjetet diplomatike bullgare, ambasadës duhet t’i paguajë rreth 3.300 euro

Igor Dashkovski Stojanovski, i akuzuar për djegien e automjeteve diplomatike para Ambasadës së Bullgarisë, u dënua me tetë muaj burg dhe iu hoq masa e paraburgimit. Duke pasur parasysh se ai ndodhet në paraburgim që nga qershori, i mbetet edhe rreth një muaj për të vuajtur nga dënimi me burg, si dhe duhet t’i paguajë ambasadës rreth 3.300 euro dëmshpërblim, transmeton Portalb.mk.

“Ju dënoj me tetë muaj burg, në përputhje me nenin 47, paragrafi 1 të Kodit Penal. Në dënimin me burg llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, duke filluar nga 15.06.2026”, tha gjykatësja.

Duke qenë se ai e pranoi fajësinë, gjatë gjykimit nuk u paraqitën prova dhe nuk u zbulua motivi i veprës. Avokatja e të akuzuarit tha se është e kënaqur me aktgjykimin.

I akuzuari për djegien e dy automjeteve diplomatike të Ambasadës së Bullgarisë në Shkup e pranoi fajësinë për veprën që e kreu më 15 qershor të këtij viti.

“Ndjehem fajtor dhe e pranoj plotësisht fajësinë. Vendosa vetë”, deklaroi i akuzuari para gjykatës.

Sipas informacioneve të paraqitura gjatë seancës gjyqësore, i akuzuari në momentin e kryerjes së veprës kishte veshur një bluzë me portretin e Goce Dellçevit.

Ditën e incidentit, ai kishte dalë nga shtëpia dhe me autobus kishte mbërritur në qendër të Shkupit. Në një pikë karburanti të “Makpetrol”-it, në afërsi të ambasadës, kishte mbushur benzinë në një shishe plastike, pas së cilës kishte kaluar rrugën dhe ishte afruar te automjetet diplomatike të parkuara. Ai i kishte spërkatur me benzinë, u kishte vënë flakën me çakmak dhe menjëherë ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Automjetet e djegura i përdornin atasheu ushtarak i Bullgarisë dhe punonjës të tjerë të përfaqësisë diplomatike. Incidenti shkaktoi reagime në opinion, ndërsa policia po atë ditë e identifikoi dhe e arrestoi të dyshuarin.

Fillimisht, Prokuroria Themelore Publike në Shkup nisi procedurë për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Pas informacioneve shtesë, lënda u mor nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila më 16 shtator ngriti aktakuzë për veprën penale “Rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”.

Paraprakisht sot Gjykata  njoftoi se e liroi nga paraburgimi të dënuarin për djegien e veturave të Ambasadës bullgare, Igor Dashkovski Stojanovski. Gjykata konstatoi se rreziku i arratisjes është zvogëluar në atë masë saqë nuk është më e nevojshme të sigurohet prania e tij me masën më të rreptë – paraburgimin, e as nuk është i domosdoshëm kufizimi i mëtejshëm i së drejtës së tij për liri, transmeton Portalb.mk.

“Duke shqyrtuar arsyet për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të akuzuarit Igor Dashkovski Stojanovski nga Shkupi, gjykata konstatoi se rreziku i arratisjes është zvogëluar në atë masë saqë nuk është më e nevojshme të sigurohet prania e tij me masën më të rreptë – paraburgimin, e as nuk është i domosdoshëm kufizimi i mëtejshëm i së drejtës së tij për liri. Kjo për shkak se i akuzuari Igor Dashkovski Stojanovski ka vuajtur rreth gjysmën e dënimit të shqiptuar me burg prej tetë muajsh, prandaj pothuajse nuk ekziston rreziku që ai të arratiset për t’iu shmangur vuajtjes së pjesës së mbetur të dënimit. Gjatë marrjes së vendimit, gjykata mori parasysh se i akuzuari e ka pranuar fajësinë, gjë që tregon se ai e ka pranuar përgjegjësinë dhe nuk përbën bazë për të arritur në përfundimin se do të arratisej për t’iu shmangur përfundimit të plotfuqishëm të procedurës. Për këtë arsye, gjykata vlerësoi se i akuzuari mund ta presë në liri përfundimin e plotfuqishëm të procedurës”, thonë nga Gjykata.

Një arsye shtesë, thonë ata, për shfuqizimin e masës së paraburgimit janë edhe rrethanat e tij personale: ai ka një fëmijë të mitur, në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka vendbanim të përhershëm dhe të njohur, “gjatë seancave gjyqësore ka treguar sjellje korrekte dhe nuk e ka kontestuar gjendjen faktike”.

“Ndryshe nga koha kur ishte caktuar fillimisht paraburgimi, në këtë fazë nuk janë paraqitur prova shtesë ose rrethana konkrete që do ta mbështesnin nevojën për vazhdimin e kësaj mase. Kjo ndonëse, sipas standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me kalimin e kohës kërkohet një arsyetim gjithnjë e më bindës dhe më i individualizuar për vazhdimin e masës së paraburgimit”, thonë nga Gjykata.

Për arsyet e përmendura, shtojnë nga Gjykata, në përputhje me nenin 146, paragrafi 1, pika 2 të Ligjit për Procedurë Penale, gjykata vendosi që i akuzuari Igor Dashkovski Stojanovski nga Shkupi të paraqitet një herë në javë, çdo të mërkurë, te zyrtari përgjegjës në Njësinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, në periudhën nga ora 09:30 deri në 12:00.

“Gjykata vlerësoi se qëllimi për të cilin ishte caktuar paraburgimi do të arrihet edhe përmes kësaj mase. Në kuptim të nenit 146, paragrafi 2 të Ligjit për Procedurë Penale, detyrimi i të akuzuarit për t’u paraqitur te zyrtari përgjegjës do të zgjasë më së shumti deri në përfundimin e plotfuqishëm të procedurës penale. Duke pasur parasysh sa më sipër dhe në përputhje me nenin 174, paragrafi 2, në lidhje me nenin 173, paragrafi 1, pika 3, si dhe nenin 146, paragrafi 2, në lidhje me paragrafin 1, pika 2 të Ligjit për Procedurë Penale, gjykata vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi”, thonë nga Gjykata.

Ambasada e Bullgarisë në RMVBullgariaGjykata Themelore Penale Shkupi 1