Kompania “Stenton GRADBA”ShPK nga Orizari i Epërm-Manastir, pa ankand elektronik fitoi një prokurim publik me vlerë prej 1.670.000 euro nga Kuvendi për rregullimin e terrenit dhe pajisjeve rreth ndërtesës. Kontrata u lidh më 8 qershor të vitit 2026 mes pronarit të “Stenton” Goce Stojanoski dhe Kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi, transmeton Portalb.mk nga SDK.
Në një shpallje tjetër publike, përkatësisht në një kontratë të lidhur për prokurim publik, Kuvendi do ju paguajë 67.000 euro për mbikëqyrjen e punës të këtyre kompanive: Kompania për veprimtari arkitekturore, mbikëqyrje dhe inxhinieri “MBM ARKITEKTI” ShPKNjP Shkup, Kompania për inxhinieri, projektim dhe konsulencë “EURO CONSULTING” ShPK Import-Eksport Shkup dhe Kompania për projektim, inxhinieri, tregti dhe shërbime “MG PROEKT” ShPKNjP Shkup.
Në dokumentet e publikuara në uebfaqen “e-nabavki” thuhet se në shpallje janë paraqitur vetëm këto tre kompani, të cilat edhe fituan. Rastësi tjetër është se shuma e vlerës së vlerësuar të prokurimit me TVSH, e cila është 4.130.000 denarë (67.000 euro), përputhet deri në denar. Në një farë mënyre, vlera e kontratës së lidhur me TVSH ka rezultuar e njëjtë, 4.130.000 (67.000 euro).
Në kontratë thuhet se kompanitë do të angazhohen për të ofruar shërbime për mbikëqyrje profesionale mbi punën e kryer për prokurimin e pajisjeve urbane dhe rregullimin e peizazhit për nevojat e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në pyetjen: “A është realizuar ankandi elektronik?”, përgjigjja është: “Jo”.
Kompania “Stenton” u bë e njohur për publikun pas konferencave të përditshme për shtyp të VMRO–DPMNE-së në pushtet deri në maj të vitit të kaluar, në të cilat partia e akuzonte qeverinë e mëparshme të LSDM-së se i kishte dhënë asaj një numër të madh të tenderëve shtetërorë, duke theksuar se kjo kompani dyshohej edhe për krim në spitalin e Prilepit.
Në maj të vitit të kaluar “Stenton” u kritikua publikisht nga qeveria aktuale si një kompani e formuar enkas për të fituar tenderë. Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së tha se në periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2023 “Stenton” ka fituar tenderë shtetërorë me vlerë prej 66,5 milionë euro, pothuajse 5 milionë euro më pak se të ardhurat e përgjithshme të kompanisë për këtë periudhë, si dhe se pjesa më e madhe e pjesës mbetur i janë paguar si nënkontraktorë për kompani të tjera, gjithashtu në tendera.
“Ka kompani që veprojnë në treg, luftojnë dhe konkurrojnë, dhe ka kompani që kanë punuar me LSD-në vetëm për tendera. Për këtë të fundit, LSD është një patron. Është për tu habitur se si Prokuroria Publike për vite me radhë ka heshtur për skemat e tenderëve të “Stenton Gradba”. Nëse dhe si i ka fituar tenderët “Stenton Gradba? A luajnë LSD, Zaev dhe Filipçe një rol kyç?”, tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Valentin Manasievski në një konferencë për shtyp në muajin maj të vitit 2025.
Por “Stenton” vazhdoi të fitojë tendera të mëdhenj, si për ndërtimin e një kopshti fëmijësh në Manastir nën udhëheqjen e një kryetari komune të VMRO-DPMNE-së, për sigurimin e materialeve ndërtimore për digën “Otinja”, rinovimin e sallave të operacionit të klinikës “Nënë Tereza”, si dhe fitoi edhe disa tendera të mëdhenj nga komuna e Shtipit, e cila është nën VMRO-DPMNE-në.
Në tetor të vitit të kaluar, ajo mori një ndalesë të përkohshme nga gjykata për pjesëmarrje në tendera.