Skriningu ka përfunduar prej mbi dy vitesh, Qeveria e RMV-së duhet të ketë plan të qartë për reformat drejt BE-së

Instituti për Demokraci „Societas Civilis“ – Shkup kërkon që përfundimi i skriningut me Bashkimin Evropian të shfrytëzohet për përshpejtimin e reformave, duke propozuar një plan të qartë me detyra, institucione përgjegjëse, afate dhe mënyrë për matjen e progresit. Nga Instituti theksojnë se kanë kaluar më shumë se dy vjet e gjysmë nga përfundimi i skriningut në dhjetor të vitit 2023, ndërsa Komisioni Evropian tashmë ka publikuar raportet për të gjashtë klasterët negociues. Sipas tyre, këto raporte i kanë dhënë vendit një pasqyrë të detajuar për nivelin e harmonizimit me legjislacionin dhe standardet e BE-së, dobësitë institucionale dhe reformat që duhet të zbatohen, transmeton Portalb.mk.

IDSC vlerëson se pengesat politike për hapjen e klasterëve nuk duhet ta ndalojnë punën në reformat e identifikuara gjatë skriningut.

Instituti kërkon që Ministria për Çështje Evropiane t’i vendosë të gjashtë raportet në një vend të vetëm dhe t’i publikojë bashkë me gjetjet dhe rekomandimet kryesore në gjuhën maqedonase. Sipas IDSC-së, në ueb-faqen e ministrisë aktualisht është i qasshëm vetëm raporti për Klasterin 1, „Themelet“.

Një tjetër kërkesë është krijimi i një matrice publike në të cilën për çdo rekomandim do të përcaktohet se çfarë duhet të bëhet, cili institucion është përgjegjës, cili është afati dhe sa është realizuar. Qeveria, sipas Institutit, duhet të raportojë periodikisht për zbatimin e saj.

IDSC propozon gjithashtu që rekomandimet e skriningut të lidhen me Agjendën e Reformave 2024–2027, Programin Kombëtar për Miratimin e së Drejtës së BE-së dhe rekomandimet e raporteve vjetore të Komisionit Evropian, në mënyrë që të shmangen proceset paralele dhe të krijohet një kornizë e vetme për reformat.

Instituti kërkon edhe funksionalizimin e plotë të strukturave negociuese. Sipas tyre, publiku ende nuk ka informacion të mjaftueshëm nëse trupat negociuese dhe grupet e punës sipas klasterëve dhe kapitujve janë plotësisht të kompletuara dhe funksionale.

„Këto struktura duhet të punojnë tani“, theksojnë nga IDSC, duke kërkuar që ato të analizojnë gjetjet e skriningut, të ndjekin ndryshimet në legjislacionin e BE-së, të identifikojnë nevojat për përshtatje institucionale dhe financiare dhe të përgatisin pozicionet e ardhshme negociuese.

Në këtë kuadër, Instituti vlerëson se duhet të ruhet edhe stafi i trajnuar për procesin e anëtarësimit dhe të krijohen stimuj financiarë dhe në karrierë për të punësuarit që janë të përfshirë në këtë proces.

„Skriningu tashmë tregoi se ku jemi dhe çfarë duhet të bëjmë“, thotë IDSC, duke kërkuar që kjo diagnozë të shndërrohet në një program pune publik, të matshëm dhe me përgjegjësi të përcaktuara, si dhe në angazhim më aktiv të vendit në Bruksel dhe në shtetet anëtare të BE-së.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë përfshirjen e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.

Agjenda ReformueseEurointegrime Negociata RMV-BEInstituti për DemokraciProcesi i SkriningutReforma mediatikeReforma në administratëReforma ne gjyqësor – drejtësi